Grupi hetimor dhe policia kanë informuar mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmjen e djeshme, e cila shkaktoi panik tek qytetarët, por nuk mori vëmendjen e duhur mediatike për shkak se të gjithë ishin fokusuar tek numërimi i votave.
Më konkretisht, një automjet ka qenë duke ndjekur me shpejtësi një automjet tjetër, ku gjatë ndjkjes ka patur edhe të shtëna me armë zjarri, teksa më pas automjetet e tyre janë përplasur me dy makina të tjera, të cilat kishin ndaluar tek semafori pranë urës tek “Pallati me Shigjeta”. Pas aksidentit, ata kanë braktisur mjetet dhe drejtuesi i mjetit të parë ka tentuar të arratisur me vrap, ku janë zënë me leva hekuri.
Policia bën me dije se në lidhje me këtë ngjarja kanë shpallur në kërkim shtetasit Eduart Koboçi, 28 vjeç dhe Zenel Trofi, 35 vjeç. Personi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ka qenë Eduart Koboçi, pasi brenda automjetit të tij është gjetur një predhë e dyshuar arme zjarri pistoletë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasit Eduart Koboçi, 28 vjeç dhe Zenel Trofi, 35 vjeç, pasi mbrëmë, rreth orës 23:20, afër pallatit me shigjeta, dyshohet se duke ndjekur njëri-tjetrin, me automjete, kanë përplasur 2 automjete të ndaluara në semafor. Pas përplasjes me dëme materiale, ata kanë braktisur automjetet që drejtonin dhe janë larguar. Gjatë kontrollit në automjetin që dyshohet se e drejtonte shtetasi Eduart Koboçi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një predhë të dyshuar arme zjarri pistoletë. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes” thuhet në njoftimin e Policisë
Detaje nga ngjarja dje në Tiranë?
Një automjet tip “BMW X5” me targa angleze me drejtues Eduart Koboçin ka qenë duke ndjekur me shpejtësi një mjet tip “Mercedes-Benz” me drejtues Zenel Trofin.
Gjatë ndjekjes, është raportuar për të shtëna me armë zjarri, ndërsa mjetet në fjalë kanë aksidentuar edhe dy automjete të tjera, përkatësisht një “Volvo” dhe një makinë blu që ndodheshin të ndaluar në rrugë tek semafori pranë urës tek “Pallati me Shigjeta”
Pas përplasjes, autorët kanë braktisur automjetet e tyre mbi urë dhe kanë vijuar ndjekjen në këmbë, të armatosur me leva hekuri dhe pistoleta, duke përhapur panik në zonë.
Shoferi i “Mercedesit është parë duke vrapuar nëpër lagje për t’i shpëtuar ndjekjes, ndërsa personat në automjetin tip “BMW X5” janë parë duke e ndjekur me armë në dorë, sipas raportimeve të banorëve.