Arsye pse po e shkruajmë këtë editorial, është kërkesa që na ka ardhur nga lexues të majtë dhe të djathtë, edhe ca nga partitë e reja, për të pasur më shumë lajme politike dhe pasqyrim më të gjerë të aktiviteteve elektorale.
Si media e re, që nuk synon rritjen nëpërmjet lajmeve “scoop” për klikime apo rritjen në tregun e koklavitur të portaleve, pa djegur etapat që duhet të kalojë besueshmëria e një gazetë on-line, Voicenews.al qëndroi shumë larg politikës.
Këtë e bëmë sigurisht me kosto, e para financiare se nuk ju afruam kandidatëve shkrime kundrejt pagesës (këtu kishte shumë mundësi dhe dhjetëra kërkesa nga kandidatë të partive të ndryshme, nga qarqe të ndryshme, pasi kishte interes të sponsorizoheshin shkrimet në rrjetet sociale facebook dhe instagram).
Edhe pse e kishim mundësinë nuk i afruam për reklama në hapësirat e dedikuara në web (këtu si në çdo shkronjë të këtij shkrimi dhe në tërësi tek të gjitha informacionet jemi të sinqertë vetëm stafet e 3 kandidatëve na kontaktuan).
Rama-Berisha, apo edhe partitë e reja zunë shumë pak hapësire, sepse ne mendojmë që askush nuk e ‘meritonte’ mbështetjen tonë modeste. Nuk e meritojnë pasi elektorati që nuk voton ka një arsye, veç zhgënjimit nga klasa politike.
Ne jemi pro si media që vota të shkundet, për këdo që qytetarët mendojnë, por jemi gjithashtu, që asnjëri mos të votojë prej thesit të miellit.
I kuptojmë ata që nuk duan të votojnë dhe që përbuzin sistemin sepse ky klasë politike e meriton.
Do ishim në mbështetje të një linje politike, por nuk dëgjuam në këtë fushatë për sigurinë juridike, nuk dëgjuam zgjidhje për shembull për ligjin e pronave (ku ndërtuesi pa leje mund ta legalizojë, kurse ai në pronën e tij nuk i jepet leje që të ndërtojë) nuk kishte as një cep në programet e partive, për shumicën e heshtur që punon, por i vihen shkopinj nëpër këmbë nga rraqet e krijuara nga shteti ose të fortit që mbështesin të dy palët si nga ana monetare dhe nga ana e ‘muskujve’.
Fjala vjen nuk dëgjuam asnjë narrativë për natyrën, pyjet, lumenjtë, paratë ‘cash’, industrinë fasone, fshatarin që s’ka ku i çon prodhimet e ngastrës së tokës së tij, volumin e betonit, arsimin (jo rritje pagash) për nxënien e nxënësve, përdorimi masiv i drogërave nga adoleshentët etj,.
Fjala vjen nuk dëgjuam asgjë për policinë, zjarrfikësit, ushtrinë etj., ka shumë familje që kanë në gjirin e tyre efektivë nga radhët e tyre.
Më kryesorja nuk dëgjuam nëse do ketë “vetting” për ata që nuk kanë punuar asnjë ditë dhe kanë makina mbi 30 mijë euro. A do ketë një kontroll si blihen këto makina, shtëpi restorante etj., nga këto të rinj që merren me rritje bimësh në shtëpi brenda apo jashtshtetit. Këta nuk i luan njeri se para harxhojnë edhe sponsorizojnë për kandidatët sa herë ka zgjedhje (sigurisht në këmbim të favoreve).
Këto fakte dhe shumë arsye të tjera që qytetarët i dinë dhe i ndjejnë në lëkurë, na shtynë drejtë vendimit për mos të mbështetur askënd dhe për mos t’i dhënë hapësirë që të jemi përçues të mashtrimeve politike.
Por qëndrimin tonë do e japim, ju bëjmë thirrje qytetarëve të votojnë, por të ketë vetëdije për kë të votojnë. Ne duam që asnjë parti mos të arrijë 71 vota, kjo do ishte fitorja më e madhe për shqiptarët, sipas analizës tonë.