Kardinali amerikan Robert Provost është zgjedhur sot si Papa i 267 në historinë e Kishës Katolike Romane, i pari me prejardhjen nga një vend në Amerikën e Veriut. Dhe ashtu si paraardhësi tij, Papa Françesku, ai raportohet se është i dhënë pas sportit.
Por jo ndaj futbollit siç ka ndodhur rëndom. Në mediat italiane, persona të afërt me Atin e Shenjtë, tregojnë se 69-vjeçari i sapozgjedhur duke mbartur emrin Papa Leon XIV, është mjaft i apasionuar ndaj sportit të tenisit.
Ai ka qenë një tenist amator në rininë e tij dhe nuk i është ndarë këtij sporti, duke e praktikuar vazhdimisht deri kohët e fundit.
Në Itali bëjnë të ditur se Prevost, pasi u bë kardinal, shprehu hapur keqardhjen e tij pasi nuk kishte më kohë që të praktikonte këtë sport siç dëshironte.
“E cilësoj veten amator, por që kur jam larguar nga Peruja, kisha pak raste që të stërvitesha. Ndaj pres me padurim të kthehem në fushë”, ishin fjalët e tij në një intervistë pak kohë më parë.
Urime për zgjedhjen e tij kanë ardhur nga liderët e mbarë botës, të cilët kanë mirëpritur zgjedhjen e tij në krye të Vatikanit.
Ndër të parët ishte presidenti i SHBA, i cili u shpreh se është nder i madh për ta, që Robert Francis Prevost është i pari amerikan që zgjidhet Papë.
“Urime kardinalit Robert Francis Prevost, i cili sapo u emërua Papë. Është një nder i madh të kuptosh se ai është Papa i parë amerikan. Çfarë emocioni, dhe çfarë nderi i madh për vendin tonë. Mezi pres të takoj Papa Leon XIV. Do të jetë një moment shumë domethënës!”, shkruan Trump në Truth Social.
Presidenti polak Andrzej Duda, uroi Papën e sapozgjedhur duke përshëndetur “një lidhje të veçantë uniteti shpirtëror” midis Polonisë kryesisht katolike dhe Kishës.
“Ju lutem pranoni sigurimin për gatishmërinë e Republikës së Polonisë për të forcuar më tej këto lidhje unike, në emër të vlerave të përbashkëta, përgjegjësisë për të mirën e përbashkët dhe forcimit të paqes në botë”, tha Duda, një katolik konservator.
Urime erdhën dhe nga Ukraina, ku Presidenti Zelensky përgëzoi Papa Leonin, ndwrsa shkruan se shpreson që Vatikani të vazhdojë mbështetjen morale për Ukrainën
“Në këtë moment vendimtar për vendin tonë, shpresojmë për mbështetjen e vazhdueshme morale dhe shpirtërore të Vatikanit në përpjekjet e Ukrainës për të rivendosur drejtësinë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme”, tha Zelensky në një postim në X.
Edhe shefja e BE-së, Von der Leyen, uroi Papën, ndërsa shkruan se “Papa Leon frymëzon botën përmes angazhimit për paqen”.
“Ne e urojmë sinqerisht Shenjtërinë e Tij Leon XIV për zgjedhjen e tij si Papë dhe kryetar i Kishës Katolike. Ne dëshirojmë që pontifikati i tij të udhëhiqet nga mençuria dhe forca, pasi ai udhëheq komunitetin katolik dhe frymëzon botën përmes angazhimit të tij për paqen dhe dialogun’, shkruan ajo.
Urime erdhën dhe nga Izraeli, ku presidenti Herzog u shpreh se po pret me padurim lidhje më të forta me Vatikanin nën udhëheqjen e Papa Leonit.
“Ne mezi presim të forcojmë marrëdhënien midis Izraelit dhe Selisë së Shenjtë, si dhe të forcojmë miqësinë midis hebrenjve dhe të krishterëve në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën. Papati juaj le të jetë një vend ndërtimi urash dhe mirëkuptimi midis të gjitha besimeve dhe popujve”, shkroi Herzog në X.
Presidenti francez Macron e ka cilësuar zgjedhjen e Papa Leonit si një moment historik për Kishën Katolike dhe miliona besimtarë të saj.
“Një moment historik për Kishën Katolike dhe miliona besimtarët e saj. Papës Leon XIV dhe të gjithë katolikëve në Francë dhe në mbarë botën, unë i dërgoj një mesazh vëllazërimi. Në këtë 8 maj, ky pontifikat i ri qoftë i paqes dhe shpresës”, shkruan Macron.