24 vjeçari Geri Bitri, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shkëmbimi i zjarrit dje në Laç, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë. I riu nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga plumbat pavarësisht përkujdesjes së mjekëve.
Nga informacionet spitalore në gjendje jo të mirë në spitalin e Traumës është edhe Ndoj, 26-vjeç, ndërsa tre të plagosurit e tjerë Daniel Gjeloshi, 26-vjeç, Liridon Ismaili, 26-vjeç, dhe Angjelina Gjezaj, 58 vjeç janë në gjendje stabël me dëmtime në gjymtyrët e poshtme.
58-vjeçarja ishte duke shitur qirinj për besimtarët e Kishës së Laçit kur e kapën plumbat. Mbrëmjen e së shtunës policia njoftoi se kishte zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe kishte vënë në pranga dy autorët Klevis Ndreca, 28-vjeç, si dhe Daniel Gjeloshi, 27-vjeç, i cili mbeti dhe i plagosur gjatë përplasjes me armë.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Sipas policisë, janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, te cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia tha se konflikti mes të rinjve ka nisur për motive të dobëta, për shkak të një aksidenti rrugor me dëme të vogla materiale, dhe më pas ka vijuar me përdorimin e armëve.