Përmes një njoftimi zyrtar Policia e Shtetit, thekson se sot finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit Florenc Çapja, 44 vjeç, banues në Elbasan.
Mësohet se Florenc Çapja është hipur në një avion nga autoritetet e Dubait dhe po deportohet në Shqipëri. Ai pritet të zbresë në Rinas sot pasdite ose në orët e para të mbrëmjes.
Florenc Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, në Elbasan. Çapja, është marrë i pandehur dhe në dosjen penale “Plumbi i artë” për sigurim të kushteve me qëllim vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
“Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan” thuhet në njoftimin e policisë.
Policia njoftoi mediat se informacion më të detajuar, do të japi në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas.