13.4 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Krimi që tronditi Vlorën u porosit nga Dubai? Zbulohet tropojani i ndaluar si bashkëpunëtor në vrasjen e Rustem Hoxhajt

Eris Mehmetaj, në foton e mësipërme u ndalua në Tiranë, në lidhje me atentatin e regjistruar mëngjesin e të dielës në Vlorë, ku u ekzekutua Rustem Hoxhaj.

Ai është me origjinë nga Tropoja, teksa njihet dhe si mik i Roan Brahimit alias Sidorel Prendit, i ekzekutuar në Maj të vitit të kaluar në Athinë, i cili strehohej në Dubai.

Eris Mehmetaj është ndaluar nga uniformat blu, pas identifikimit nga Policia e Vlorës të automjetit me të cilin ka lëvizur vrasësi ditën e krimit. Nga hetimi ka rezultuar se Mehmetaj ia ka dhënë automjetin para krimit autorit, teksa mjetit më pas i ishin ndërruar edhe targat.

Gjithashtu, Eris Mehmetaj i është sekuestruar edhe celulari, nga i cili grupi hetimor beson se do të marrë të dhëna që mund ta ndihmojnë për zbardhjen e vrasjes së Rustem Hoxhajt.

Grupi hetimor dyshon se vrasja e 58-vjeçarit është porositur nga Dubai, nga një grup kriminal nga Vlora, nën dyshimet se ai mund të ketë qenë informator për grupin kundërshtar.

Autori i vrasjes së Rustem Hoxhajt dyshohet se pas krimit është larguar përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë, teksa ky ishte dhe shkaku pse mbrëmjen e djeshme Policia ka ushtruar kontroll në zonën e Ksamilit. Dyshohet se në krim kanë qenë edhe persona të tjerë të përfshirë.

Autori i vrasjes është filmuar nga një kamer sigurie pranë vendit ku ndodhi krimi, ku shfaqet i veshur me të zeza, me kapele në kokë dhe fytyrën të mbuluar me një maskë.

Eris Mehmetaj në rrjetet sociale reklamon një jetë luksi, ku pjesën më të madhe të kohës, duket se e kalon nga Dubai, nga ku ka publikuar edhe foton e fundit më 4 Mars.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat