12.5 C
Tirana
Monday, May 12, 2025

E paralajmëroi dje voicenews.al, Eni Vasili zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH-së për një mandat 5-vjeçar

Sikurse u paralajmërua dje nga voicenews.al, gazetarja dhe moderatorja Eni Vasili është zgjedhur drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Eni Vasili arriti të marrë 7 votat e nevojshme për të drejtuar RTSH-në.

Ky ishte raundi i dytë, pasi në raundi i parë dështoi për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk mori 7 vota ose 3/5 e votave. Në këtë raund ishin në garë vetëm 3 kandidatët më të votuar, Xhoi Jakaj, Engjëll Musai dhe Eni Vasili.

Mandati i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH është 5-vjeçar.

Në garën për postin e drejtuesit të operatorit publik morën pjesë 12 kandidatë, të cilët në një mbledhje të mëparshme publike të Këshillit patën mundësinë të paraqisnin publikisht platformat dhe vizionin e tyre.

RTSH ka qenë në qendër të debatit publik prej më shumë se një viti, pasi ish-drejtori Alfred Peza dha dorëheqjen në qershor të vitit të shkuar, pasi u përball me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë vitit që mbajti detyrën.

Procesi i zgjedhjes së pasardhësit të tij u kontestua fort nga dy partitë e mëdha politike, të cilat, nëpërmjet Komisionit Parlamentar për Median dhe Edukimin, ndërmorën dhe aktin e paprecedentë të shkrirjes së Këshillit Drejtues në mars të këtij viti.

Parlamenti votoi më pas përbërjen e Këshillit të ri Drejtues, duke zgjedhur në këtë institucion individë të lidhur ngushtësisht me politikën, gjë që shqetësoi organizatat që mbrojnë lirinë e medias dhe së fundmi edhe Bashkimin Europian.

Kryetar i këtij këshilli u votua Fatjon Hoxhalli, 38 vjeç, me një përvojë pune gati një dekadë si këshilltar i afërt i Niko Peleshit gjatë detyrave të tij në ekzekutiv dhe si kryetar i grupit parlamentar socialist.

Në bordin me 10 anëtarë janë gjithashtu këshilltari i ish-ministrit socialist, Bledi Çuçi, një ish-zëvendësministër në qeverinë “Rama” dhe emra që vijnë nga fusha e artit apo gazetarisë, por që kanë një sfond politik ose afërsi me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.

RTSH është operatori i vetëm publik në vend dhe në bazë të dispozitave ligjore dhe standardeve të lirisë së medias, do të duhej të ishte i pavarur nga politika – standarde të cilat janë cënuar plotësisht me zgjedhjen e fundit të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat