Me t’u njoftuar për lajmin e ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, kryesocialisti Edi Rama është detyruar të ndërpresë takimin elektoral me gratë dhe vajzat e Kavajës.
Para mbylljes së takimit Rama kërkoi nga të pranishmet mbajtjen e një minute heshtjeje në nder të ndarjes nga jeta në moshën 88-vjeçare të Atit të Shenjtë.
Gjatë fjalimit të tij, Edi Rama është marrë më shumë me ish-kryetarin e PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu, i cili doli fitues në procesin e Primareve, por vendosi të mos garonte për deputet për shkak se lidershipi i partisë, nuk e vendosi në listën e mbyllur të Qarkut të Tiranës.
Sipas Ramës, Hysen Kadiun e hëngri “bufi”, duke iu referuar Sali Berishës, pasi sipas tij, lideri demokrat po përgatitet për opozitë dhe jo për fitore. Rama shtoi më tej se Hysen Kadiu meriton çmimin Nobel, në krahasim me kandidatët e tjerë të listës së mbyllur të PD-së në Tiranë.
Ajo që vlen për t’u theksuar është se Edi Rama, gjatë fjalimit të tij, nuk e përmndi fare ish-kryebashkiakun e tij, Elvis Roshi, i cili ka dalë publikisht për të mbledhur vota për PD-në, ku në listën e hapur të opozitës në Kavajë është emri i djalit të xhaxhait të tij, Elton Roshi, i cili është futur në listën e PD-së si kandidat aleat nga Agron Duka i PAA-së.
Kryeministri Edi Rama, nga Kavaja, foli për rëndësinë që i ka kushtuar PS përfaqësimit nga gratë. Rama tha se PS ka dhënë dy shembuj të rinj në politikën shqiptare, bashkëdrejtimin e organizatave nga burrat dhe gratë, si dhe përfshirjen e tyre edhe në skuadrën e Shqipërisë 2030.
“Janë shumë burra që ndihen mirë në kënetë. Ndihen mirë me atë qasjen e vjetër dhe me rrugën e vjetër që dihet ku të çon ndërkohë që ne as jemi ndjerë dhe nuk ndjehemi mirë deri kur ta vendosim plotësisht barazinë gjinore jo vetëm si numra por edhe si cilësi e bashkëjetesës sociale në këtë vend sepse kemi bërë hapa të konsiderueshëm por ajo që është e rëndësishme është se çka sot pasqyrohet me shumë domethënie në jetën publike, ku gratë në këshillat bashkiakë janë 50%, dhe në parlament janë më tepër se dikur kur dukej si odë otomane, ku gratë në qeveri janë mbi 50%, ku gratë në sipërmarrje, në drejtimin e sipërmarrjeve kanë arritur në thuajse 30%, duhet të shtrihet më thellë në shoqëri për të garantuar çlirimin dhe barazimin mes gjinive në çdo familje”.
Kreu i qeverisë përmendi takimin e parë që ka mbajtur në Kavajë si kryetar partie i PS, teksa tha se një grup burrash demokratë se kishin lënë që të hynte.
“E kam të pamundur që të mos kthehem pas në kohë kur sa isha bërë kryetar partie dhe erdhëm të vizitojmë degën e PS në Kavajë te kinemaja dhe midis rrugës dhe kinemasë ishte bërë një mur i madh me burra, burra me dy gishta, që na e bënë shumë të vështirë për të hyrë brenda me polici e historira që sot duken të paimagjinueshme. Ka ndodhur këtu dhe jo 100 vjet më përpara, dhe kur hyn brenda salla e kinemasë është modeste, me më pak vende se këtu, ishte treçereku bosh. Kishte vetëm një grua. Një! Më pas ju e dini historinë e zhvillimeve politike në Kavajë se ishte e pamundur për një periudhë të gjatë për veteranët që të lejoheshin të votoheshin se si në PS prania e grave ishte minimale, gjë që nuk ndodhte vetëm në Kavajë, ndërkohë që ambicia ime dhe qëllimi ynë ishte të zgjeronim rradhët dhe mbi të githa të hapnim derën që gratë dhe vajzat të uleshin si të barabarta në hapësirën e PS” tha Rama.