Automjeti që do shihni në foton në fund të shkrimit, tip “Rover” ngjyrë blu e errët, u përdor nga autorët mbrëmjen e 17 Prillit në Pllanë të Lezhës, ku u ekzekutua 64-vjeçari Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit (Roan Brahimit) i vrarë në Maj të vitit të kaluar në Athinë.
Burime nga grupi hetimor theksuan se brenda automjetit dyshohet se kanë qenë të paktën tre persona, ku dy prej të cilëve kanë zbritur nga makina dhe kanë përshkruar rreth 20 metra rrugë në këmbë. Automjeti ka qenë pa xhama të zinj, teksa dy autorët që kanë zbritur prej saj kanë qenë të maskuar.
Rezulton se vetëm njëri prej tyre ka qëlluar në drejtim të Gjovalin Prendit, i cili në momentin që është ekzekutuar ka qenë në verandën e lokalit, duke shkruar në telefon. Në brendësi të lokalit në pronësi të tij, ndodheshin dhe 5 persona të tjerë, mes tyre dhe bashkëshortja e 64-vjeçarit.
Atentatorët dyshohet se e kanë mbajtur në vëzhgim Gjovalin Prendin dhe kanë gjetur momentin e përshtatshëm kur ai po futej në lokal. Gjovalin Prendi dyshohet të jetë qëlluar nga ana e majtë e lokalit. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur dy autorët kanë ardhur nga aksi rrugor i vjetër duke dalë në pjesën anësore të biznesit familjar ku kanë qëlluar Prendin. Më pas në një moment është fiksuar nga kamerat automjeti i autorëve, që është larguar pas atentatit drejt urës së Milotit.
Të nesërmen në mëngjes, pranë disa shkurreve në fshatin Fushë-Gjormë të Kurbinit, automjeti i autorëve u gjet i shkrumbuar totalit. Dyshohet se ekzekutuorët të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendi ku dogjën automjetin.
Automjeti që u përdor në atentat nga autorët rezulton i vjedhur më 13 Mars të këtij viti në Peqin, teksa po ashtu të vjedhura kanë rezultuar edhe targat. 64-vjeçari Gjovalin Prendi ishte paralajmëruar për t’u vrarë edhe dy herë gjatë vitit 2020, në një sulm me eksploziv dhe një tjetër me plumba, në të njëjtin lokal ku dhe u ekzekutua mbrëmjen e të enjtes.
Më herët, në vitin 2014, Gjovalin Prendit i kishin vrarë edhe nipin, në një atentat pranë urës së Milotit, që Policia deklaronte në atë kohë se kishte si objektiv djalin e dajës së tyre. Edhe kjo ngjarje nuk është përjashtuar si pistë hetimore, pa çka se hetimet janë fokusuar tek hakmarrja e lidhur me djalin e viktimës, Sidorel Prendi (Roan Brahimi).
