18.6 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Rama thumbon demokratët nga Lezha: Burra ‘normal’ janë ata që deklarohen me BE, jo ata që votojnë kënetën

Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me gratë dhe vajzat e Qarkut Lezhë. Në fillim të fjalës, ai tha se faktorizmi i grave dhe vajzave brenda Partisë Socialiste është krenaria e tij më e madhe që kur mori udhëheqjen e kësaj force politike.

Kreu i PS theksoi edhe në këtë takim, për të disatën herë, se 11 maji, më shumë se zgjedhje për qeverisjen e vendit në 4 vitet e ardhshme, është moment vendimtar për realizimin e ëndrrës dhjetëra-vjeçare të shqiptarëve: Anëtarësimin në BE.

“Kemi shumë rrugë për të bërë, ka shumë rëndësi që nënat shqiptare, nënat e reja të kuptojnë se sa themelore është që më 11 maj Shqipëria, populli shqiptar t’i kapërcejë kufijtë që ndajnë njerëzit normalisht me një palë zgjedhje. Përgjithësisht zgjedhjet janë një mundësi për të vendosur mes disa alternativave për 4 vite. Por ka zgjedhje që nuk janë një vendim për 34 vite, por një takim me historinë. 11 maji është takimi i dytë me historinë. Takimi i parë ka qenë ’91, kur shqiptarët në shumicë dërrmuese votuan PD. Nuk ishin të gjithë pjesë e PD, pastaj në korrik-gusht kur u bënë zgjedhjet vendore, shumica votuan kundër PD” tha Rama.

Rama nuk la pa përgjigje dhe komentet për batutën e tij lidhur me burrat gjatë takimit të djeshëm me gratë dhe vajzat e Qarkut Dibër.

“Janë mërzitur që si i thotë Rama më shumë se gjysmës së burrave çyryk. Unë nuk e di, mund të jenë më shumë se gjysma, por unë them se aq janë, se sikur mos të ishim gjysma e burrave e çyryk këtë vend, e dini ku do të ishte Shqipëria sot? Se burrat e kanë pasur në dorë për një kohë shumë të gjatë dhe më thoni ju mua tani, a është normal një burrë që shkon dhe hidhet në kënetë me kokë? Ne kemi 56% të grave në të gjithë Shqipërinë, kemi votuesit e para shumicë, na duhet vetëm gjysma e burrave dhe ne fitojmë, jemi në rregull, dhe kush nuk e pranon që është çyryk, duhet thjesht dhe vetëm të deklarojë që nuk është më me kënetën por me BE-në. Në momentin që thotë “jam me BE-në” dhe jo me kënetën, merr certifikatën që është normal” tha Rama.

Kryesocialisti Edi Rama e mbylli fjalimin e tij me thirrjen se vota për të dhe PS më 11 maj e çon vendin drejt BE-së, i jep pasaportën europiane dhe madje e sjell BE-në në Shqipëri.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat