21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Vdekja e turistes britanike gjatë ekspeditës nënujore në Sarandë, gjykata vendos kërkon ekspertizë të re për protokollin e sigurisë (Vendimi)

Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kthen për hetime dosjen penale ndaj Saimir Kushovës, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, çka solli vdekjen e turistes britanike Rebecca Gannon, gjatë një zhytje në Sarandë në vitin 2022.

Gjykata vlerëson se hetimet nuk janë të plota dhe për rrjedhojë duhet të vijojnë sipas drejtimit që do të përcaktohet nga gjykata. Në lidhje me drejtimin e hetimeve dhe fushat e paeksploruara deri më tani nga organi i akuzës, gjykata vlerëson se, në mënyrë që hetimi të jetë i plotë, duhet të kryhen shtesë këto veprime hetimore:

Në të tilla kushte, Gjykata vendosi të kryhet një akt ekspertimi nga një specialist me njohuri të posaçme në fushën e zhytjes pranë Federatës Shqiptare të Zhytjes, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve:

1.1 Cili është protokolli i zhytjes, referuar nivelit të certifikimit në këtë sport të së ndjerës (Sipas formularit “Diver Registration Form”, rezulton se agjencia e përzgjedhur e zhytjes është PAD dhe niveli i certifikimit është OWD).

1.2 Sipas akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, a kanë qenë të licencuar dhe brenda kushteve teknike organizatorët e zhytjes?

1.3 A e kanë ndjekur organizatorët protokollin e zhytjes? Nëse po, si? Nëse jo, cilat janë shkeljet e evidentuara?

1.4 Cili ka qenë personi përgjegjës për ndjekjen e sigurisë së zhytësve gjatë realizimit të këtij procesi?

1.5 A ka një protokoll personi përgjegjës për sigurinë e zhytësve, që duhet të ndjekë për të qenë në gjendje gatishmërie në çdo rast? Nëse po, cili është ky protokoll? Nëse jo, të përshkruhet me detaje se ku duhet të qëndrojë personi përgjegjës për sigurinë dhe cilat janë masat që ai duhet të marrë deri në përfundimin e procesit të zhytjes.

1.6 Cila është koha që i nevojitet një personi për të veshur kostumin e zhytjes në kushte alarmi apo kërkese për ndihmë (nëse kostumi nuk është veshur më herët)? Përgjigjja e kësaj pyetjeje duhet të arrihet përmes një simulimi në kohë reale nga specialistët, në kushte të ngjashme me ato të një kërkese për ndihmë, duke matur dhe regjistruar kohën edhe me pamje filmike.

Gjykata evidenton se dhënia e këtyre përgjigjeve nga organi i akuzës përcakton drejtimin e mëtejshëm të hetimeve për këtë çështje. Në këtë kontekst, drejtimi i hetimeve në vijim do të jetë i kanalizuar – por jo i kufizuar – te dhënia e përgjigjeve për pyetjet e sipërcituara nga ana e gjykatës, me qëllim arritjen në përfundimin nëse i pandehuri e ka kryer apo jo veprën penale për të cilën akuzohet.

Për një hetim efektiv, në kuadër të një procesi të rregullt dhe të drejtë ligjor, brenda një afati të arsyeshëm kohor, veprimet hetimore të sipërpërmendura duhet të kryhen brenda një muaji.

Dosja është në dorë të prokurores Valbona Maja. Në 2022, Gjykata e Sarandës vendosi ta hetojë në gjendje të lirë pronarin e “Spiranca Diving Center” nëpërmjet garancisë pasurore prej 1.5 milion lekë të reja. Ai kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes Greta Brozi në grupin e tij të punës dhe nuk kishte siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.

Ekspedita nënujore turistike, organizohej nga “Spiranca Diving Center” tek anija e Luftës së Dytë Botërore e mbytur në gjirin e Sarandës. Pushuesja Rebecca Gannon, 29 vjeç ishte me të dashurin e saj kur u gjend në vështirësi gjatë udhëtimit nën ujë me një grup prej shtatë zhytës të tjerë. 

Grupi me të cilin ishte i kishin bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot. Kushova u hodh në ujë për ta shpëtuar por përpjekjet e tij nuk i erdhën në ndihmë të resë. 

GJYKATA VENDOSI:

1. Urdhërimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për plotësimin e hetimeve sipas drejtimit të përcaktuar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi.

2. Caktimin e një afati kohor për kryerjen e veprimeve procedurale prej një muaji, duke caktuar datën për zhvillimin e seancës së ardhshme, date 7.5.2025, ora 140°.

3. Ky vendim i njoftohet Drejtuesit te Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare te Juridiksionit të Përgjithshëm Sarande sipas kërkesave të nenit 332/ç, pg.2 te Kodit te Procedurës Penale.

4. Kundër këtij vendimi nuk është parashikuar ankim.?

U shpall në Sarandë më datë 2.4.2025.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat