27.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Rama pret nga kamzalinjt rezultat spektakolar dhe ironizon Berishën: Me ‘bufin’ ishim të dytët pas Gjermanisë!

Në takimet elektorale të Partisë Socialiste s’ka më flamur partiak. Nga Kamza, ku kreu i PS Edi Rama u takua me të rinjtë, ata u shfaqën në duar vetëm me flamujt e Shqipërisë dhe të Bashkimit Europian. Integrimi në BE është tashmë ‘kali i betejës’ dhe premtimi kryesor që Rama u ofron shqiptarëve duke u kërkuar mandatin e katërt.

Nga Liqeni i Paskuqanit, një hapësirë e transformuar nën drejtimin e socialistëve, Rama u kujdes të theksojë ndryshimin që vendi ka pësuar duke thënë se “sa shumë vite u humbën nga besnikëria e verbër ndaj një partie a thua se vota është një biletë për të shkuar në stadium dhe a thua se besimi për t’ia dhënë votën dikujt, është një fanellë tifozi për një skuadër”, tha Rama.

Rama kërkoi rezultat spektakolar jo vetëm në Kamëz, por kërkon notën 10 për fitoren e 10-të. “Këtë herë ne duhet të nxjerrim nga lumi i 11 Majit një rezultat që është më i miri i të gjithë rezultateve. E kemi fituar 9 herë, duhet ta fitojmë 10. Kjo duhet të jetë fitorja e 10. Me notën 10-të”, tha Rama.

Kryesocialisti iu rikthye edhe njëherë projektit të integrimit në BE, duke renditur edhe shkaqet përse duhet BE-ja dhe të mirat që vijnë prej saj.

Një episod ka ndodhur ditën e sotme gjatë takimit të kryesocialistit me të rinjtë e Kamzës. Një zë nga rruga është dëgjuar gjatë fjalës së Ramës të thërrasë ‘Rama ik’. Rama i është përgjigjur thirrjes se ‘duhet një hudhër në këto raste’, duke e ironizuar.

Dhe drejt fundit të fjalës, u kujtoi të rinjve të pranishëm me batutë për bindjet politike, që nëse të dashurat apo të dashurit e tyre ishin me bindje politike të kundërta, t’i bindnin për të votuar numrin 5 dhe të ardhmen europiane.

“Dua që të vish me mua dhe të votosh si europian, të votosh PS. Të gjitha ato gocat që kanë të dashur që janë me bindje të tjera, duhet t’i vini kusht: dëgjo, ti më pëlqen mua, unë të dua ty me status të barabartë me çdo lloj të huaji se ndryshe… të dua qytetar europian jo vetëm kamzali, kështu që pres prej teje të vish me mua dhe të votosh si mua. Po! Po si more le të jetë i bukur, i zgjuar sa të dojë, po a mund të rrihet me një çun që hudhet në kënetë më 11 maj? Ç’e do?! Se është çështje karakteri kjo! Por përtej shakasë që është më shumë se gjysma e së vërtetës, unë besoj se ju do ta bëni Kamzën që të shkëlqejë”, përfundoi Rama.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat