Kreu i opozitës Sali Berisha teksa prezantoi kandidatët për deputetë në Vlorë, iu dha një mesazh të fortë për bandave kriminale, ku iu bëri thirrje që të mos implikohen në vota, pasi do të kenë një ndëshkim që ata nuk e imagjinojnë. Berisha tha se fijet e krimit me politikën do të priten me gërshërët e ligjit.
Duke theksuar se ata që u bëjnë presion qytetarëve për vota do të shpallën grupe terroriste shqiptare dhe ndërkombëtare, Berisha tha se “grupet kriminale me gërshërët e ligjit do i pritet çdo fije me politikën dhe do vendosen para ligjit. Sot nga Vlora paralajmëroj cdo bandit kudo që ndodhet se po u implikuat me vota do të cilësoheni grupe terroriste shqiptare dhe ndërkombëtare. Jua them këtu, se një qime floku ju ndan edhe tani. Donald Trump dekretoi shpalljen grupe terroriste të karteleve të drogës. U them bandave nga Shkodra në Gjirokastër dhe kudo që janë mos guxoni të shqetësoni qytetarët, se ju jap fjalën e nderit se do të shpalleni terroristë ndërkombëtare, cka do të thotë se do të keni ndëshkime që ju nuk i imagjinoni ju”, tha Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha hodhi akuza në drejtim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duke thënë se “mori 50 milionë euro me tunelin e Llogarasë”.
Berisha akuzoi atë dhe kryeministrin Rama se ndërton rrugë për të falimentuar bizneset në parkun e Llogarasë, duke shtuar se kur PD të vijë në pushtet këtë do ta korrigjojë.
“A e dini ju që me tunelin Llogarasë ja mbylli sytë qafës më të bukur që ka Shqipëria, që hapet pamja më madhështore e detit, për të marrë 50-60 mln euro me Lubi Ballukun dhe tani ndërton rrugën për ti falimentuar të gjitha bizneset e parkut të Llogarasë. I garantoj ata se ajo do korrigjohet. Investimet në parkun e Llogarasë janë investimet më të mira”, tha Berisha.
Më tej, Berisha u ndal tek rrogat duke theksuar se “çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro. Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre”.