Kreu i opozitës Sali Berisha çeli fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në Sheshin “Nënë Tereza” ku deklaroi se Shqipëria është e sëmurë, kjo sëmundje quhet Edi Rama.
“Këto ditë, këtë muaj, ndeshen dy botë, ndeshen dy filozofi, dy projekte, në njërën anë janë ata të cilët e sollën Shqipërinë në këtë ditë, në njërën anë janë ata të cilët e grabitën Shqipërinë dhe shqiptarët se asnjë pushtim tjetër në histori. Shqipëria është e sëmurë, kjo sëmundje quhet Edi Rama”, tha kreu i PD
Më tej, Berisha u shpreh se Edi Rama ka “dy muaj që është ngujuar në zyrë dhe flet me vete”.
“Këto ditë, këtë muaj, në këtë fushatë, ndeshen dy botë, ndeshen dy filozofi, ndeshen dy projekte. Në njërën anë janë ata të cilët e grabitën dhe e plaçkitën Shqipërinë dhe shqiptarët sa asnjë pushtim tjetër në histori. Shqipëria është e sëmurë. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. Kjo sëmundje quhet Edi Rama. I tmerruar nga e vërteta, i tmerruar nga transparenca, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë, ka dy muaj që flet me vete, ka dy muaj që ka frikë. Por miq, u përpoq me çdo mënyrë, u përpoq me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, me çdo gjë, që Shqipëria të mos kishte opozitë” tha Berisha.
Kreu i demokratëve hodhi akuza drejt Edi Ramës, teksa 12 vitet e pushtetit të tij, i konsideroi si vitet e varfërisë dhe shkatërrimit të Shqipërisë. Sipas Berisha, për Edi Ramën, nata e sotme do të jetë e vështirë, teksa shtoi se në krah ka Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por edhe McGonigalin.
Lideri demokrat shtoi më tej se Edi Rama bëri gjithçka që ti fshinte nga historia dhe t’i linte pa flamur dhe pa simbol, por nuk ia doli dhe sot demokratët janë të bashkuar.
LaCivita rol aktiv në fushatë
Drejtuesi i fushatës së Donald Trump, Christopher LaCivita, i cili do të drejtojë dhe fushatën e PD-së për zgjedhjet e 11 Majit, ka qenë i pranishëm në mitingun e hapjes së fushatës zyrtare për zgjedhjet e 11 Majit.
Gjatë fjalës së tij, Chris LaCivita deklaroi se socialistët në SHBA tentuan të burgosin Donald Trump, teksa sipas tij, e njëjta gjë po ndodh në Shqipëri edhe me Sali Berishën, por shtoi se siç dështuan në Amerikë, do të dështojnë edhe në vendin tonë.
Ai ngriti pikëpyetjen se pse duhet të votosh për një parti që për 12 vite e mbizotëron krimi, korrupsioni dhe se ka larguar 1 milionë shqiptarë nga vendi. LaCivita bëri thirrje që të votohet Sali berisha, për t’i dhënë vendit një mundësi dhe për t’iu dhënë njerlzve shpresë.