Pas një aksioni ‘blic’ Policia ka arrestuar në Durrës një 49-vjeçar nga Egjipti, i identifikuar si shtetasi Walid Elabd. Gjykata e Katanias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e 49-vjeçarit, i cili mund të përballet me një dënim deri në 20 vite burg.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 36”. Akuzohet se krijoi në Itali, një organizatë kriminale për trafikim të qenieve njerëzore, kapet në Durrës, 49-vjeçari nga Egjipti. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 36”, kapi në Durrës dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Walid Elabd, 49 vjeç, të lindur në Egjipt” thuhet në njoftimin e policisë.
Gjykata e Katanias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Për këtë veprimtari kriminale ligji në Itali parashikon si dënim maksimal 20 vjet burgim.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 49-vjeçarit, në Itali.