Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e deputetes Monika Kryemadhi për revokimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj saj. Këtë vendim Kryemnadhi mund të ankimoi në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 5 (pesë) ditëve, afat i cili fillon nga dita e njoftimit të vendimit të gjykatës
“Kërkuesi Monika Kryemadhi me datë 02.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokim i masës së sigurimit”. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 260 dhe 246/6 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 195, datë 07.04.2025, vendosi: Mospranimin e kërkesës së kërkueses Monika Kryemadhi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 5 (pesë) ditëve, afat i cili fillon nga dita e njoftimit të vendimit të gjykatës”, njofton GJKKO.
Ajo po hetohet për tre vepra penale: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, në lidhje me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në SHBA. Ish-presidenti Ilir Meta po qëndron në burg për shkak të akuzave të ngjashme.