21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Futi në treg mish pule me bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim pronari i kompanisë “diMal”, nën hetim edhe 3 inspektorë të AKU

Redaksionale

Ka dy ditë që mediat buçasin për një skandal të rëndë ushqimor ka dalë në dritë në Tiranë, ku kompania “di Mal” ka importuar produkte ushqimore që përmbanin bakterin e salmonelës. Voicenews.al, për disa arsye nuk u mor me këtë rast, e para sepse shpesh herë kompanitë nëpërmjet fijeve që luajnë nëpër institucione e shfrytëzojnë për të goditur konkurencën. E dyta, mos rasti përdorej për të rritur në mënyrë të çmendur çmimet, sikurse është rasti i vezëve, çmimi i të cilave që u rrit me 40%. Kjo rritje u kalua pa asnjë reagim, pasi kompanitë thanë që groposëm pulat, kemi vetëm ato të pastra, edhe për rrjedhojë çmimi do rritet. Kjo rritje afekton edhe produktet që kanë në përbërje vezën. Arsyeja e tretë është lënia e institucioneve që të bëjnë punën e tyre, edhe ti marrin vendimet të pjekura dhe të pandikuara mediatikisht.

Por është e pamundur të mos bëjmë publike një konstatim që flet shumë edhe në po ja lejmë lexuesit ta gjykojë. Kompania “diMal” bën reklamë edhe në televizionin “Top Channel”, në një prej emisioneve më të ndjekura “Big Brother Vip”, teksa organizon edhe sfida, duke ofruar çmime për banorët. Edhe dje edhe pse nga organet ligjzbatuese kishin konfirmuar skandalin në emisionin Big Brother, në hapsirën e reklamave u fut një spot për kompaninë “di Mal”. Nuk po i hyjmë duhet ta jepte apo jo, këtë ta gjykojë publiku. Ajo që ne si media duam të evidentojmë është diçka tjetër, censura që kjo media i bëri këtij lajmi të bujshëm. Duke e dhënë shumë thatë e trajtuar problemin në mënyrë periferike edhe më e rëndësishmja në asnjë moment nuk përmendet emri i kompanisë. Në këtë rast janë lexuesit që e gjykojnë nëse është mbajtur interesi publik apo interesi publicitar.

Sipas njoftimit të policisë, Arben Goxha, administrator i kompanisë “diMal” u shpall në kërkim, ndërsa vëllai i tij Mondi Goxha (53 vjeç) është proceduar penalisht pasi kanë futur në vend sasi produktesh ushqimore të kontaminuara, të cilat më pas u lejuan për tregtim nga inspektorët e AKU-së. Në këtë skemë janë përfshirë edhe 3 inspektorë të AKU-së, Gezim Hushi, 38 vjeç, Sada Lufta, 42 vjeçe, dhe Aldo Sinjari, 46 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos parandaluar daljen e këtyre produkteve në treg.

Pë të qenë korrekt me ligjin policia e ka njoftuar lajmin me iniciale pavarësisht se identiteti i kompanisë është mësuar edhe nuk mund të mbulohet.

“Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç” thuhet në njoftimin e policisë.

Çështja është tashmë në duart e Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për këtë rast serioz që përbën një kërcënim për shëndetin e qytetarëve.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat