18.6 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Deputetët, ata që ishin, ata që janë dhe ata që do vijnë!

Zoica Rrëkenjasi

Mbyllja e Tik-Tok nuk zbeh aspak agresivitetin e rrjeteve sociale, apo informacionet që përcillen përmes tyre. E sidomos në kohë fushate, ka aq shumë informacion, sa në term mediatik do quhej “mbingopje”. Ka informacion të duhur e të paduhur, por më shumë dalin në pah vlerat dhe antivlerat e gjithkujt, e aq më shumë të atyre që po trokasin në “zemrat e qytetarëve” për të marrë një votë, nga e cila në vjeshtë do të kenë një vend pune jo të çfarëdoshëm, por aty në “arenën e burrave të shtetit”. 

Së fundmi, rrjeti ka vërshuar ndaj një zyrtari të Drejtorisë së Burgjeve në Rrogozhinë, i cili, sipas ligjit duhet të kthente një përgjigje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për numrin e atyre që kanë të drejtë të votojnë në 11 maj.

Më shumë se thelbi i shkresës, aty kishte një “mal” me gabime ortografike, që në kohën e zhvillimit të teknologjisë, nuk mund të fshihen edhe nëse je militanti më i thekur i partisë në pushtet. E njëjta gjë ishte edhe me një mësues, që përmes një mesazhi kërkonte informacion nëse e pengonte apo jo ligji për të kandiduar. Në rastin e këtij mësuesit, nuk po vë fare në diskutim mungesën e njohurive të tij ligjore, se jo domosdoshmërisht duhet të dijë nga kjo fushë, por në diskutim ishte shqipja e shkruar prej tij, që ishte jashtë çdo norme gjuhësore, ashtu si ai drejtori i burgut të Rrogozhinës.

E tani, më shumë se tek këta zyrtarët e “vegjël”, që e kanë detyrim të jenë të mirëshkolluar e profesionistë, po aq edhe njohës të gjuhës amtare, të asaj gjuhe që nëse e copëton, nuk është thjesht një gabim, por ke copëtuar kombin.

E le të ndalemi tek deputetët. Ata në lista të mbyllura e ata tek ato të hapurat. Për të mbyllurat unë personalisht kam më shumë rezerva, sepse, e para nuk i njoh dhe nuk kam si ta provoj nëse janë të mirë, Apo të këqinj. E dyta kanë mbaruar shkollimin jashtë dhe kanë ikur nga ky vend pikërisht në ato vitet kur shqipja ishte jo e copëtuar, por e shkalafitur në përdorimin e saj, që nga mësuesit, zyrtarët, e të gjithë ata që kanë për detyrë së pari ta mbrojnë, e së dyti ta ruajnë si një thesar të vendit kombit.

Por, pa paragjykuar ata kandidatët e “mbyllur” dhe “hapur”, vitet dhe dekadat e një sistemi dhe të ri politik kanë treguar se deputetët janë ata të “kërpërtave”, “fitores publicitare”, e sa e sa të tjera. Dhe frika ime, e shprehur përmes këtyre reshtave është pikërisht një “rikthim dinjitoz”, ashtu sikurse kanë qenë deri tani mes nesh kontigjenti i deputetëve që nuk dinë “shkrim e lexim”, sa për artikulim le të presim sallën e Kuvendit, aty ku shpalosen idetë e “dijetarëve”, atyre që përmes votës kanë në dorë fatet tona, sepse aty në fund të fundit votohen ligje që rregullojnë jetën e çdo shqiptari që ka zgjedhur të jetojë e punojë në këtë hapësirën me një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë kilometra katror. 

Pra, thënë kjo, nuk mendoj se do ketë ndonjë dallim në shkrim e lexim për ata deputetë që kanë qenë, ata që janë dhe do të jenë në të ardhmen. Sepse janë ata, e më pas këta zyrtarët që e kanë harruar shqipen. Se, nëse është fjala për anglisht, e frëngjisht këta janë të paparë. Gjuhët e huaja i qajnë. Dhe ne të tjerët e sërës jashtë kuvendit dhe jashtë këtyre zyrtarëve, e kemi mendjen tek integrimi në BE. Po çna duhet BE?! Ndaj, o liderë evropianë? Zahmet e keni, mos na merrni shumë në konsideratë, se jemi ende larg, na duhet të mësojmë shqip e të ruajmë së pari gjuhën e kombit tonë, e më pas të merremi me ju përtej kufijve gjeografikë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat