Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt. Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik.
Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikal, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.
Pikërisht më 5 mars bëhen 27 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.
Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari.
Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.
Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
SULMET SERBE
Më 25 nëntor 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha në Rrezallë të Re. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtur Klisyra, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij.
Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi vendbetejë.
Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe qëllojnë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha.
Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës.
Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhe nga ato islamike. Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike.
Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.
Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër. Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Serbe dhe forcat paraushtarake serbe. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi.
Lagjen Jashari e kishin rrethuar me 100 policë serbë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 net. Forcat serbe filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozave.
Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotsjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për 52 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, e cila asokohe ishte vetëm 11 vjeçare.
NDERIMET
Adem Jashari ra dëshmorë më 7 mars 1998, bashkë me 56 anëtarë të familjes gjatë rrethimit të kullave në Sulmin e Prekazit nga mijëra forca ushtarake serbe. Ademi njihet si babai apo kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Pas vrasjes së familjes Jashari nga serbët, shpërtheu patriotizmi shqiptarë, dhe nga i gjithë globi ku gjendeshin mërgimtarët shqiptarë u kthyen në Kosovë për ta luftuar Serbinë gjenocidiale që po kryente masakra në gjithë Kosovën. Për të rezultuar më pas në një luftë masive frontale, Luftën e Kosovës, pjesë e së cilës u bë edhe NATO me bombardimin e Jugosllavisë.
Figura e tij njihet ndërkombëtarisht për qëndresën heroike në kullat e Jasharajve, ai dhe familja e tij gëzojnë respekt të jashtëzakonshëm nga i gjithë populli shqiptarë edhe pas vdekjes. Së bashku me vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore–ushtarake serbe, të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në Mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me anëtarët e familjes së tij, një pjesë e të cilëve ishin ushtarë aktivë dhe rreth gjysma ishin civilë.
Urdhri “Hero i Kosovës” iu nda atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës. Për nder të tij u krijua Brigada 111 “Adem Jashari”.