Për aktorin e njohur francez, Gérard Depardieu, ka filluar gjykimi në Paris për akuzat për sulme seksuale. Ky është një rast që ka tërhequr vëmendjen në industrinë e kinemasë franceze, pasi Depardieu akuzohet për veprime të pahijshme ndaj dy grave gjatë xhirimeve të një filmi në vitin 2021. epardieu, një nga emrat më të njohur të kinemasë franceze, ka qenë nën akuzë për sulme seksuale në vitet e fundit, por kjo është hera e parë që ai do te dalë në gjykatë për këto akuza.
Gjyqi, që pritet të zgjasë deri në tri ditë, ishte planifikuar fillimisht për tetorin e kaluar, por u shty për shkak të problemeve shëndetësore të aktorit. Depardieu, 76 vjeç, ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat dhe ka insistuar se ato janë të pabaza.
Në ditën e gjykimit, ai kaloi pranë gazetarëve në mënyrë të qetë, pa bërë komente dhe duke shkuar drejt sallës së gjyqit me avokatin e tij. Avokati, Jérémie Assous, i cili i mbron interesat e Depardieu, u shpreh para gazetarëve se akuzat janë të rreme dhe pa asnjë bazë të vërtetë. Ai theksoi: “E vërteta është në anën tonë.”
Prokurorët pretendojnë se dy gra kanë përjetuar sulme seksuale nga aktori gjatë xhirimeve. Njëra nga akuzat përfshin një episod, ku Depardieu akuzohet për veprime të pahijshme ndaj një gruaje, për të cilën tre dëshmitarë janë të gatshëm të flasin. Gruaja e dytë ka raportuar se aktori e ka përqafuar dhe e ka prekur në mënyrë të pahijshme.
Një avokat i njërës prej grave të akuzuara shpjegoi për Reuters se klientja e saj ka frikë të flasë kundër Depardieu për shkak të pushtetit të tij në industrinë e filmit. “Ajo ndjen se është një luftë mes Davidit dhe Goliathit, dhe ka frikë nga pasojat, pasi Depardieu është një figurë e fuqishme në kinematografi,” tha avokati.
Nëse akuzat dëshmohen të vërteta, Depardieu mund të përballet me një dënim që arrin deri në pesë vjet burg dhe një gjobë prej 75,000 euro.