30.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Gazetaria sportive në zi, humb betejën me sëmundjen e rëndë, shuhet Saimir Demi (Reagimet)

Ka ndërruar jetë gazetari i njohur sportiv Saimir Demi. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe sot humbi betejën. Lajm i trishtë është bërë i ditur nga familjarët e tij.

Saimir Demi është vëllai i gazetarit dhe moderatorit Enkel Demi.

Enkel Demi ka bërë një reagim në Facebook, duke thënë se i vetmi ngushëllim që ka është fakti që ai nuk vuajti dhe iku i rrethuar nga njerëzit e tij dhe nga mjekët.

“Nuk është e lehtë, por duhet bërë ky njoftim. Vëllai im i vetëm, Saimiri iku tek Hyji sot në mesditë. I vetmi ngushëllim është që nuk vuajti dhe qe i rrethuar nga përkujdesi i mjekëve të Spitalit Infektiv dhe njerëzit e tij të zemrës”, shkruan Enkel Demi, i cili thotë nesër në orën 12.00 do të bëhen homazhe në hollin e RTSH. “Prej andej, në orën 14.00 do të çojmë Saimirin në banesën e fundit në Sharrë”.

Për këtë lajm të hidhur ka reaguar edhe gazetari i njohur, Defrim Methasani. Ai shkruan se ende nuk e beson ikjen e tij dhe ngushëllon familjarët e tij.

“Telefonata e fundit mu duk pesimiste, por kurrë se besoja ikjen kaq shpejt të tij. Saimir Demi, do të na mungojë nga sot, duke na lënë pas pikëllimin helm, që na iku nxitimthi, vetëm 57 vjeç. RTSH Sport është në zi, ashtu si familja Demi dhe familja e gazetarëve sportiv. Sëmundja e rëndë e rrëzoi njeriun që e donte kaq shumë jetën, ndërsa po kaq e donte dhe çdokush që e njohu dhe punoi me të. Ngushëllime familjes, nënës së tij fisnike, bashkëshortes Albanës që bëri gjithçka për jetën e tij, vëllait të shtrenjtë Kel Demi që ishte pranë tij në çdo moment, djalit të vetëm Bjornit që iu bë si shok dhe miqve e kolegëve të shumtë të tij. U prehsh në paqe mik dhe koleg i veçantë, që me ikjen tënde, do të na lësh një boshllëk të madh, aq sa plagët e Çamerisë nga ti vije…!🙏🙏“, shkruan Methasani.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka vlerësuar në maksimum përshkushtimin e Demit në sport.  Duka , gjithashtu, i shprehu ngushëllime familjes.

Postimi i Dukës

 Me dhimbje të thellë mora lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Saimir Demit, një gazetar i përkushtuar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Me të kemi ndarë biseda, analiza dhe opinione për sportin, veçanërisht për futbollin, një pasion që e udhëhoqi gjithë jetën e tij profesionale. Një njeri i dashur dhe një profesionist i palodhur, Saimiri do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por edhe komunitetit të gazetarëve dhe sportdashësve, ku kontribuoi me përkushtim për tre dekada. Në emrin tim personal dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe të gjithë miqve që i qëndruan pranë. U prehsh në paqe, Saimir! Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat