Në kuadër të operacionit “Spring” ka sekuestruar 3.5 kg kanabis sativa, Policia e Durrësit njoftoi se janë vënë në pranga tre persona të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit.
Bazuar në hetimet e deritanishme shtetasi Haxhi Çela i kishte blerë shtetasve Ardis Kraja dhe Gerald Kuqi, një çantë me lëndë narkotike, ndërsa sipas njoftimit zyrtar dy tregtarët edhe blerësi kanë përfunduar në pranga.
Njoftimi i policisë
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Ç., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi H. Ç., i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht A. K., 43 vjeç dhe G. K., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit H. Ç., në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit A. K. dhe G. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.