Besimtarët bektashinj festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit, pasi Imam Aliu ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme.
Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Nënë Tereza.
“Novruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.
Në Shqipëri Dita e Novruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas muslimaneve suni, përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Viti i Ri Persian nis më 21 mars
Në Shqipëri festa e Nevruzit mbahet më 22 mars, por Viti i Ri Persian nis më 21 mars dhe vende të ndryshme të botës. Celebrimet kryen nga 21 marsi deri në 24 mars, sipas lokaliteteve.
Nevruzi celebrohet në të gjitha vendet që kanë qenë më parë pjesë e perandorisë Perse dhe më vonë në vendet ku këto popuj u vendosën.
Festivali është më shumë se 3000-vjeçar
Festivali është më shumë se 3000-vjeçar dhe festohet që prej Shqipërisë deri në zona të Kinës veriperëndimore, por kryesisht ndiqet në Iran dhe vendet muslimane të Azisë Qendrore.
Ashtu si në festivale të tjera të Vitit të Ri kjo është një kohë e bashkimit të familjeve, këmbimit të dhuratave dhe vizitave te njëri-tjetri.
Festa paraprihet nga CharshanbeSuri, që ndiqet në mbrëmjet e javës para Nevruzit, me zjarre e fishekzjarre.
Përgatitjet e celebrimit të Nevruzit përfshijnë blerjen e rrobave të reja, veshjen e kostumeve me zbukurime argjendi e floriri.
Në Iran celebrimet përfshijnë tavolinën e dekoruar të Haft Seen, ku familjarët presin momentin e ekuinoksit të pranverës.
Në Afganistan, festimet përfshijnë konkurime ‘buzkashi’ ku kalorësit ndeshen për hedhjen e trupit të dhisë së ngordhur.
Kinë, Nevruzi celebrohet në rajonin autonom musliman Xinjiang Ujgur nga grupet etnike ujgure, taxhike, slar e kazake.
Kur mbërriti kjo festë në Shqipëri?
Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX kjo festë është shndërruar në një manifestim kombëtar. Diktatura komuniste-ateiste në Shqipëri, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.
Në Shqipëri Dita e Nevruzit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit.
Ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Ku krahas muslimaneve suni, përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.