Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj edhe pse ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ka vendosur të ndërrojë timonieren e Bashkisë duke “shkarkuar” Anuela Ristanin nga funksioni i kryetares së komanduar. Nuk dihet ende nëse ky vendim është rakorduar me Kryeministrin Rama, por largimi i Ristanit nga detyra e Kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, ka ngjallur habi në opinionin publik.
Në dokumentin e mëposhtëm, e cila mban datën 18 Mars, Erion Veliaj ka firmosur delegimin e detyrave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nënkryebashkiakes Sara Goxhaj, e cila pas këtij vendimi kalon dhe kryebashkiake në detyrë. Ajo njihet si një nga njerëzit më të afërt të Veliajt.
Në të njëjtën shkresë, Erion Veliaj ka firmosur dhe shfuqizimin e vendimit të datës 14 Shkurt, ku ai ia delegonte detyrat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanit. Veliaj e ka firmosur vendimin nga qelia, aty ku ndodhet prej 10 Shkurtit, kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,
URDHËROJ:
Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.
Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.
Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.
