Gjykata Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në burg Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, të cilët akuzohen për tre vepra penale.
Në argumentet e SPAK, të konfirmuara nga gjykata e shkallës së parë dhe apelit thuhet se tre personat dyshohen për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të tre personat kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici i afërm i Ibrahim Licit në Shkodër më 10 gusht 2018. “Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana”, thuhet ne njoftimin e SPAK.