Katër të rinj ndërruan jetë tragjikisht pas një aksidenti të rëndë në Fushë-Prezë disa minuta para mesnatës.
Një betoniere është përplasur me një automjet tip “Mercedes Benz” dhe pas përplasjes makina ka shpërthyer në flakës, ndërsa shoferi i betonieres është larguar nga vendi i ngjarjes, duke braktisur mjetin.
Mjeti “Mercedes Benz” është konstatuar duke u djegur nga efektivët e shërbimit të qarkullimit rrugor rreth orës 23:50, dhe pranë saj edhe betonieren. Mësohet se pas konstatimit, në vendin e ngjarjes ka shkuar një mjet zjarrfikës i Kamzës, por ka qenë tepër vonë për të shmangur fatalitetin.
Pas hetimeve rezultoi se automjeti që drejtohej nga shtetasi Enejdi Laçi, 25 vjeç dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes automjeti është përfshirë nga flakët dhe drejtuesi i automjetit Enejdi Laçi, 25 vjeç dhe tre pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç janë djegur për së gjalli brenda mjetit.
Drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i cili u largua nga vendngjarja është shoqëruar në komisariat.

