18.6 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

“Shtëpia e barit” në Laknas/ Policia publikon pamjet e banesës, arrestohen 2 vëllezërit (Emrat+Video)

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Llamba” janë arrestuar shtetasit Shkëlqim Matraxhi, 38 vjeç dhe Fatmir Matraxhi, 28 vjeç. Ata akuzohen se kishin përshtatur një banesë për kultivimin e bimëve narkotike, ku për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe babai i tyre, shtetasi Z. Matraxhi, 66 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.

Policia e Tiranës raporton se në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi Endrit Paja, 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Policia e Tiranës njoftoi mediat në lidhje me “shtëpinë e barit” të zbuluar ditën e djeshme në fshatin Laknas, teksa ka publikuar edhe pamjet.

“Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.” – njofton Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat