Një sulm me armë zjarri ka ndodhur gjatë natës në autostradën Tiranë-Durrës. Godina e CFO Pharma e biznesmenit Nadir Çausholli është qëlluar gjatë natës në orën 02:00 me breshëri plumbash. Raportohet se në fasadën e godinës janë “derdhur” mbi 20 plumba, ndërsa në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilët janë njoftuar vetëm një orë më parë mbi ngjarjen.
Punonjësit e sigurisë e kanë raportuar ngjarjen në polici sot në orën 8:00 të mëngjesit dhe një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje. Autorët dyshohet se kanë qëlluar nga një mjet në lëvizje dhe për identifikimin e tyre janë sekuestruar kamerat e sigurisë.
“Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit” njoftoi policia.