Të gjithë në minutë të fundit, ose pak minuta jashtë afatit. Me këtë ritëm, partitë politike, të vjetra apo të reja, provuan limitet, kush për të penguar të pakënaqurit të tradhtojnë, e dikush tjetër, për të strehuar në listat e tyre të braktisurit.
Kur Partia Socialiste solli emrat e saj, mesnata kishte kaluar. Njerëzit e Sali Berishës, erdhën me një frymë, fiks 2 minuta para se dera të mbyllej, panoramë e përsëritur kjo, që nga koha e Bashës.
Më herët, listat i kishin dorëzuar Social Demokratët, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Vetë Kreu i PSD, Tom Doshi do të kandidojë në Shkodër, ndërsa kreu i Mundësisë Agron Shehaj dhe kreu i Lëvisjes Bashkë Arlind Qori në Tiranë.
Në fakt, të gjithë liderët e partive të reja kërkojnë një mandat në Tiranë. Këtu kandidon edhe Lulzim Basha, Dash Shehi me Enekelejd Alibeaj, e po ashtu Adriatik Lapaj dhe Pano Soko.
Veç shpresës së të gjithë formacioneve të reja për të fituar mandat në Tiranë, tre koalicionet i bashkon edhe një element tjetër.
Koalicioni Euroatlantik, Koalicioni Djathtas për Zhvillim dhe Nisma Shqipëria Bëhet, kanë futur në listën e mbyllur emra fiktivë, familjarë e njerëz të besuar, kryesisht të moshës së tretë të cilët, në rast se fitojnë mandat, planifikojnë t’i djegin ato. Kjo do të hapte rrugë që mandatet t’i përfitonin më të votuarit e listave të hapura.
Lista kanë dorëzuar edhe 3 parti të vogla, të drejtuara nga Edmond Stokju, Elena Kocaqi dhe Kreshnik Osmani.
14 parti të tjera që ishin regjistruar, dështuan të sillnin emra kandidatësh, duke vërtetuar se ishin parti fantazmë.
PARTITË QË SOLLËN KANDIDATË
1. Partia Socialiste
2. Koalicioni i PD
3. PSD
4. Partia Mundësia
5. Lëvizja Bashkë
6. Koalicioni Euroatlantik
7. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
8. Nisma Shqipëria Bëhet
9. ADR
10. AKSH
11. Partia “Atdheu”