19.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Apeli i Posaçëm lë në burg Erion Veliajt, nxjerr në ‘arrest shtëpie’ biznesmenin Elman Abule

Gjyqtari i Apelit të Posaçëm Engert Pëllumbi, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili kërkoi masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore.

Ndërsa ndaj biznesmenit Elman Abule, togat e zeza kanë zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në arrest shtëpie. Biznesmeni, i cili është nën hetim në dosjen e Erion Veliajt, urdhërohet që të mos largohet nga banesa e tij, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.

Gjithashtu gjyqtari Engert Pëllumbi la në fuqi masat ‘detyrim paraqitjeje’ për 3 biznesmenët: Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në njoftimin e Apelit të Posaçëm.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat