19.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Konfiskohen pasuritë e Alda Klosit dhe ish-bashkëshortit (Në 2022 i vodhi në banesë pastruesja 750 mijë euro)

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjykata konfiskoi pasuritë e shtetases Alda Klosi dhe ish-bashkëshortit të saj, të akuzuar për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim’ parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. 

Sipas njoftimit bëhet fjalë për rreth 500 mijë euro, si dhe një apartament me siperfaqe 85.09 m2 dhe një garazh, të cilat kanë qenë në emër të ish-bashkëshortit të saj, Altin Klosi.

Gjykata konfiskoi:

Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë tetëmijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikanë, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetëedymijë e nëntëqindepesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023;

Apartament me sipërfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.; dhe

Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.

“Nga procedimi pasuror nr. 05, 2022, rezultoi se e pandehura/subjekti i hetimit pasuror A.K. e cila është përfshirë si subjekt deklarimi në ILDKPKI që në vitin 2016, nuk ka deklaruar në këtë institucion pasurinë që nuk e justifikon atë me burime të ligjshme të të ardhurave.  Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga personi i hetuar A.K.”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2022, Alda Klosi denoncoi se sanitarja Rozeta Dobi i kishte grabitur banesën e saj, por nuk tregoi për shumën e plotë të parave, por për një vlerë më të vogël dhe për vjedhje bizhuterish. Nga hetimi u zbulua se ishin vjedhur 120 mijë euro nga pastruesja, të cilat Alda Klosi më pas i justifikoi duke thënë se janë të xhaxhait të saj që jeton në Amerikë.

Në një kontroll të dytë, Policia gjeti në banesën e Rozeta Dobit dhe një shumë të konsiderueshme që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë floriri, që besohet i përkasin pikërisht Klosit. Rreth 500 mijë euro u gjetën të fshehur në tubat e aspiratorit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat