Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Fatbardh Lala, 56 vjeç, i shpallur në kërkim në Shqipëri, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror u ekstradua sot nga SHBA. Lala mbërriti rreth orës 15:00 të ditës së sotme në Rinas.
Ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane.
“Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në koordinim me Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Agjencinë Federale DSS/OCIU, prezente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë në Shtetet e Bashkuara, një shtetas shqiptar, në kërkim ndërkombëtar, me urdhër arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri” thuhet në njoftimin e policisë.