Burime nga Gjykata Kushtetuese pohuan se Partia Demokratike ka dorëzuar padi për mandatin e deputetit socialist, Vullnet Sinaj. Sipas demokratëve ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde publike nëpërmjet biznesit të tij.
Padia mësohet se është firmosur nga 14 deputetë të PD-së, teksa është depozituar në Kushtetuese, vetëm pak ditë para tejkalimit të afatit.
Ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese parashikon se “kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit…”.
Mandati i deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë përfundon në shtator, kur edhe pritet të betohen 140 deputetët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Si rrjedhojë, mocioni i papajtueshmërisë së mandatit për deputetin Sinaj nuk mund të shqyrohet nga Gjykata Kushtetuese pas datës 10 mars.
Vullnet Sinaj më 30 Janar u mbrojt nga socialistët në Kuvend, të cilët votuan kundër dërgimit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të kolegut të tyre.
Gjatë seancave dëgjimore në Këshillin e Mandateve Sinaj nuk i pranoi akuzat duke i quajtur këto blerje rastësore, ndërsa avokatja e tij cilësoi provat e paraqitura në mocion si të pamjaftueshme për të provuar shkeljen e Kushtetutës nga deputeti.