Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë më 12 shkurt. Kërkesa për ankim është dërguar nga avokatët e kryetarit të bashkisë me anë të postës, por ende nuk është zbuluar strategjia që do ndjekin avokatët e Veliajt gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit të tij. Kodi i Procedurës dhe Kodi Penal, detyron organet gjyqësore që ankimimi i Veliajt do shqyrtohet brenda muajit mars.
Duke parë rrethanat e rastit, si edhe praktikën gjyqsore, Gjykata e Posaçme e Apelit ka më shumë gjasa të lejë në fuqi masën e arrestit me burg, pasi nuk kanë ndryshuar rrethanat. Por një lëvizje e Veliajt për tu dërëhequr nga detyra e tij si Kryetar i Bashkisë Tiranë, do rriste shanset që Gjykata e Posaçme e Apelit ta lironte nga qelia, pasi do binte argumenti se mund të prishen provat. Në këtë rast, Veliaj mund të argumentojë përpara gjykatës se nuk ka mundësi si qytetar të prishë provat apo të ndikojë tek dëshmitarët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet nga SPAK se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
GJKKO më 12 shkurt miratoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj ndërkohë që ndryshoi masën e sigurisë për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe konfirmoi masat e sigurisë për gjashtë të akuzuar të tjerë, kryesisht biznesmenë të akuzuar se kanë korruptuar Veliajn.
Gjatë seancës Veliaj u deklarua i pafajshëm dhe akuzoi prokurorin Ols Dado për konflikt interesi.