Ethet e Formulës 1 kanë ndezur fansat e këtij sporti dhe ndoshta më shumë se të tjerët, tifozët e Ferrarit, të cilët presin me padurim të shohin në aksion skuadrën e tyre me dyshen Hamilton-Lëklerk.
Nesër do të nisë testimi zyrtar parasezonal me 3 ditë provash në Bahrej, ndërsa Botërori 2025 do të startojë më 16 mars me Çmimin e Madh të Australisë. “Dy garat e para në Australi dhe Kinë do të na tregojnë nëse jemi për titull apo jo”, kështu është shprehur drejtori i “kokëkuqes”, Frederik Vasër për startin e sezonit.
Melburni është një pistë që i ka dhuruar shpeshherë gëzim Ferrarit, me 10 fitore në 27 pjesëmarrje në Çmimin e Madh të Australisë të që nga viti 1996, në një pistë që ka mbetur e pandryshuar që atëherë. Pra bëhet fjalë për dhjetë suksese, që do të thotë më shumë se një triumf në tre gara.
Dhjetë suksese të shënuara nga gjashtë pilotë të “kokëkuqes”, me Mikael Shumakerin që ka pjesën e luanit. Legjendës së Ferrarit i përkasin katër triumfe në Melburn (2000, 2001, 2002 dhe 2004). Dy suksese mbajnë firmën e një tjetër gjermani, të Sebastian Fetelit, në sezonet 2017 dhe 2018.