Gjykata e Posaçme ka veçuar çështjen për ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka nga të pandehurit e tjerë që ndodhen në kërkim dhe pranoi kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të tij.
Zarka është marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim ndikimi, ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve të aplikacionit “SKY ECC”.
Nga ana tjetët, gjykata ka veçuar dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH-së, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi për shkak se nuk janë arrestuar ende nga policia dhe vijojnë të jenë në kërkim.
Gjykata vendosi pezullimin e çështjes për të pandehurit Astrit Vladi, Erjona Daupaj dhe Radovan Çela, për një periudhë kohore 1 vit, për shkak se nuk u bë i mundur njoftimi personalisht i këtyre të pandehurve për tu paraqitur në seance paraprake.
I pandehuri Aurel Zarka paraqiti kërkesë për gjykim të shkurtuar dhe në këto kushte gjyqtari Erjon Çela vendosi të njoftojë Kryetarin e Gjykatës për plotësimin e trupit gjykues me dy anëtarë të tjerë.