Në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama nëpërmjet ironizimit të kreut të PD, ka thumbuar SPAK, që e konsideron krijesë të mazhorancës së tij.
Duke iu rikthyer e qëndrimit të tij ndaj drejtësisë lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës që ai e quan të paligjshëm, Rama thotë se “drejtësia e çalë mund të kthehet kërcënim për demokracinë”.
“Tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë, – kur thotë populli – madje është qartësisht burimi i një vetëbesimi të prokurorisë dhe të gjykatës speciale, ne do të flasim për forcimin e demokracisë dhe do të jemi kritik sa herë që nga drejtësia të shkelen standardet demokratike, sepse një drejtësi e pavarur, një drejtësi profesionale, një drejtësi garante e lirive dhe e të drejtave kushtetuese të kujtdo, pa përjashtim, është thelbi i një demokracie të fortë evropiane. Ndërsa një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë” tha Rama.