Pavarësisht debateve në një seancë maratonë, PS e PD kanë bashkuar votat duke miratuar ndryshimet e reja në Kod Zgjedhor, që lehtësojnë votën e diasporës. Drafti i ndryshimeve u miratua me 108 vota pro dhe me pëlqimin e Presidentit Begaj, ndryshimet futen në fuqi menjëherë. Në këto ndryshime përfshihet mbulimi i plotë i shpenzimeve postare për votën e diasporës, duke garantuar që emigrantët të mos paguajnë për kthimin e fletëve të votimit në Shqipëri.
Po ashtu, përfshihet edhe afrimi i afateve për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të dërgohet në kohë jashtë vendit. Një tjetër ndryshim është që numërimi i votave të diasporës të bëhet nga KQZ me përfshirjen e komisionerëve politikë.
Me 107 vota pro, miratohet shpërndarja e fondit 1.5 mln euro partive për 11 majin.
Kuvendi shkarkoi edhe Këshillit Drejtues i RTSH, me në krye Leka Bungon dhe anëtarët, Ilir Kekos, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reci.
PS-PD bien dakord, hiqet nga rendi i ditës votimi për Avokatin e Popullit!
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë rënë dakord që të shtyjnë votimin për avokatin e popullit. Berisha kërkoi që të votohej Besim Ndregjoni, gjë për të cilën PS nuk ishte kundër asnjë emri, por tha se duhet të ketë një konsultim.
Në fjalën e tij Berisha tha se: “Në detyrimin e këtij parlamenti të votojë për avokat të popullit përfaqësuesin e asaj shtrese që përjetoi kalvarin më të egër barbaritë më të mëdha në të gjithë Europën. Shekuj dhe mijëvjeçar burgje dhe vite rinie të humbura. Mijëra e mijëra jetë të këputura në mes nga skuadrat e pushkatimit. Kampet e përqendrimit dhe gulagët e regjimit të shkuar janë një rast për këtë parlament për të emëruar pikërisht avokat të të drejtave të shqiptarëve, të drejtave themelore, një përfaqësues të shquar të tyre, një përfaqësues të shquar të një prej familjeve më të nderuara të Dibrës, dhe mendoj se nuk ka nevojë të përdoren votat sekrete, por të votoni Besim Ndregjonin edhe si një akt ndjese detyrimi, ndjese për atë që ka ndodhur, për dramën e tmerrshme që ka përjetuar shtresa e tyre”
Në fjalën e tij Kreu i grupit të PS Peleshi tha se: “E njohim dhe të gjithë e dimë traditën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i takon Kuvendit të zgjedhë, por propozimet i takojnë opozitës dhe diskutohet për të arritur një emër konsesual. Duhet thënë që edhe në respekt të emrave. Duhet ti japim seriozitet procesit, mos ta lemë në seancë, thuhet një emër. Nuk kemi një vendim politik, përsa kohë ka munguar ky proces, nëse s’do kemi një rezultat për një emër të caktuar, ftoj opozitën të ndërtojmë procesin siç është traditë për të arritur me konsensus me një emër. S’jemi kundër asnjë emri, të ndërtojmë procesin dhe flasim për propozimet tuaja”
Noka sërish sherr me Ballën
Seanca e sotme parlamentare duket se është vazhdimi i të enjtes së kaluar për Nokën dhe Ballën. Ashtu si katër ditë më parë, edhe sot kjo seancë është shoqëruar me debate të ashpra, deri në tensione dhe kërcënime.
Ndërkohë që Sali Berisha fliste, nga vendi ndërhynte edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Në këtë moment reagoi edhe Falmur Noka, i cili ishte duke filmuar kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte live në rrjetet sociale.
Noka i kërkoi Ballës që të mos flasë: “Rri Taulant, Tao pusho, mos të vij aty. Pusho të them, mos fol. Mbylle se të erdha aty, të vij të zvarris po të erdha aty”.