Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi të shkarkoi gjyqtarin e Gjirokastrës, Arben Dosti, i cili largohet përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Gjyqtari Dosti rezultoi sipas gjetjeve të KPA, në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe të cënimit të besimit të publikut për gjetje në aspektin profesional.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në vitin 2021, e konfirmoi z. Dosti me arsyetimin se kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme lidhur me bilancin negativ në vlerën 36.4 milionë lekë të konstatuar në analizën financiare paraprake për shkak të të ardhurave të deklaruara të padokumentuara. Ai pretendoi se shumat e mëdha të parave i ka kursyer para fillimit të detyrës, nga puna në emirgacion në Greqi, nga bashkëpunimi me një shoqëri tregtare, si dhe nga shitja e një lokali në pronësi të nënës, të gjitha të përfituara para fillimit të detyrës.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani që ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, kërkoi shkarkimin e Dostit nga detyra – kërkim që u gjet i drejtë nga Kolegji.
Kryesuesja e trupit gjykues, lexoi në mënyrë të përmbledhur vendimin për shkarkimin e Dostit. Lidhur me të ardhurat e pretenduara nga emigracioni në Greqi në masën 35 milionë dhrahmi, Mulaj vërejti se edhe pse janë administruar disa akte noteriale që vërtetojnë zotërimin e likujditeteve, nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor të ardhurat dhe pagesa e detyrimeve tatimore në shtetin fqinj, nga për rrjedhojë nuk janw konsideruar si burime të ligjshme.
Situatë e gjashme u konstatua dhe për të ardhurat në vlerën 8 deri në 10 milionë lekë nga bashkëpunimi me një shoqëri, si dhe për vlerën e pretenduar të përfituar nga shitja e lokalit të nënës. Sipas Kolegjit, edhe shuma 3.9 milionë lekë sipas kontratës së shitjes sw lokalit, nuk përmbush kushtet ligjore pasi nuk është deklaruar dhe nuk janë paguar detyrimet tatimore.
Për rrjedhojë, është konkluduar deklarim i pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.
Për figurën, Kolegji vlerësoi se duhet lënë në fuqi konkluzioni i Komisionit, se është i besueshëm në këtë kriter, ndërsa për gjetjet në aspektin profesional u tha se subjekti gjendet në kushtet e cenimit të besimit të publikut lidhur me problemet e konstatuara në një çështje.
Në përfundim, KPA vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Arben Dosti, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë.