Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës, ku pritet shkarkimi i Këshillit Drejtues të RTSH me në krye Leka Bungon dhe 9 anëtarët e saj, Ilir Kekos, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reci. Zv.kryetari Gëzim Podgorica dhe anëtari Genc Përmeti kanë dhënë vetë dorëheqjen.
Ndërkohë, gjatë seancës plenare do të diskutohen edhe ndryshimet për Kodin Zgjedhor që sipas dakordësisë mes palëve parashikohet edhe pagesa për kthimin e votës së emigrantëve, por nuk do të ketë votim me ID të huaja sikurse kërkoi PD.
Po ashtu, në rend dite është futur edhe përzgjedhja e Avokatit të Popullit, procesi i ngelur peng i dialogut politik që nga qershori i vitit 2023. Emrat janë mbështetur me firma vetëm nga opozita, ndërsa do t’i nënshtrohen votës së deputetëve në parlamennt për të siguruar 84 vota.
1 nga 7 emrat, Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga do të duhet të marrë edhe mbështetjen e socialistëve në mënyrë që të zërë vendin e Erinda Ballancës. Kjo e fundit është zgjedhur që në 2017, por qëndron ende në detyrë pavarësisht përfundimit të mandatit.
Në rend dite është parashikuar edhe një interpelancë mes ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe deputetit demokrat Asllan Dogjani, për sigurinë në vend.