21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

A kanë një lider protestat e studentëve në Serbi?

“Po tregojmë unitet” Me këto fjalë i përgjigjet një student i Fakultetit të Transportit në Beograd pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse studentët në Serbi këmbëngulin që protestat e tyre të mos kenë lider.

Gjatë bisedës, ai thotë se do që të prezantohet vetëm si student në Fakultetin e Transportit, pa dhënë emrin dhe mbiemrin, sepse, siç shprehet, është qëndrim i plenumit të fakultetit që asnjë individ nuk bie në sy në raport me kolektivin.

Për më shumë se dy muaj, studentët në Serbi janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë vendin. Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për aksidentin në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit, më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 persona.

Javëve të fundit, ata janë në krye të protestave masive që zhvillohen në shumë bashki e qytete. Studentëve u bashkohen edhe mijëra qytetarë të tjerë. Pushteti e mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe pretendon se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

Studentët, në anën tjetër, distancohen nga veprimet e partive politike, organizatave joqeveritare dhe grupeve rinore aktiviste. Që nga fillimi i bllokadave, studentët janë vënë në shënjestër të tabloideve proqeveritare dhe përfaqësuesve qeveritarë.

Pa ofruar ndonjë provë, ata i akuzojnë studentët si “mercenarë të huaj” dhe shërbimet e inteligjencës perëndimore për ndërhyrje. Në adresat e shtëpive të tyre dhe të prindërve, studentët kanë marrë edhe thirrje nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit për “intervista informative”. Disave që kanë dalë publikisht, u janë publikuar edhe informacione personale nga tabloidet proqeveritare.

Profesorë të universiteteve – më shumë se 5.000 prej tyre – janë rreshtuar pas studentëve. Përmes një peticioni, ata kanë theksuar se i dënojnë përpjekjet e autoriteteve për t’i frikësuar. Zoran Stojilkoviç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se Qeveria e Serbisë ka dështuar në përpjekjet e saj për t’i delegjitimuar protestat e studentëve.

Marrë me shkurtime nga REL

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat