19.5 C
Tirana
Wednesday, April 8, 2026

Arrihet armëpushim dy javor mes SHBA-së dhe Iranit (Zbardhen prapaskenat e negociatave)

Një raport i Axios hedh dritë mbi negociatat e tensionuara që çuan në marrëveshjen për një armëpushim dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të arritur në orët e para të së Mërkurës së Madhe. Në qendër të zhvillimeve ishte udhëheqësi i ri i Teheranit, Mojtaba Khamenei, i cili sipas burimeve dha miratimin vendimtar për ecurinë e marrëveshjes.

Sipas raportimit, zyrtarët në SHBA dhe Izrael u informuan të hënën se Khamenei kishte udhëzuar negociatorët iranianë të lëviznin drejt një marrëveshjeje – për herë të parë që nga nisja e konfliktit. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane, nën drejtimin e presidentit Donald Trump, po shqyrtonte opsionin e një fushate të gjerë bombardimesh ndaj infrastrukturës iraniane.

Një zyrtar amerikan e përshkroi situatën si “kaotike”, ndërsa aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme po përgatiteshin për një reagim të mundshëm iranian. Ndërkohë, qytetarët iranianë po largoheshin nga shtëpitë e tyre nga frika e një përshkallëzimi të madh.

Negociata intensive dhe tensione të larta

Të hënën në mëngjes, ndërsa Trump merrte pjesë në një aktivitet të Pashkëve në Shtëpinë e Bardhë, i dërguari amerikan Steve Witkoff zhvillonte telefonata intensive me ndërmjetësit, duke e cilësuar kundërpropozimin iranian si “katastrofë”.

Gjatë ditës, ndërmjetësuesit pakistanezë lehtësuan shkëmbimin e draft-propozimeve mes Witkoff-it dhe ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi, ndërsa diplomatë nga Egjipti dhe Turqia u përpoqën të afronin palët. Në mbrëmje, u arrit një draft i përditësuar për armëpushim dy-mujor, i cili iu paraqit për miratim Khameneit. Sipas burimeve, ai ishte i përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje gjatë dy ditëve vendimtare, duke komunikuar përmes ndërmjetësve për shkak të kërcënimeve për sigurinë e tij.

Burimet e përshkruajnë mbështetjen e tij si një “veprim vendimtar”, ndërsa theksohet edhe roli kyç i Araghchiut në menaxhimin e negociatave dhe bindjen e strukturave ushtarake iraniane. Ndërkohë, edhe Kina kishte këshilluar Iranin të kërkonte një rrugëdalje diplomatike. Të martën në mëngjes, pavarësisht progresit, Trump lëshoi një deklaratë të fortë duke paralajmëruar se “një qytetërim i tërë mund të zhduket brenda natës”. Megjithatë, sipas burimeve, negociatat vijuan me ritëm pozitiv.

Zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance zhvillonte kontakte diplomatike nga Hungaria, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu qëndronte në komunikim të vazhdueshëm me Uashingtonin, mes shqetësimeve se Izraeli po humbiste ndikimin në proces. Rreth mesditës së të martës, palët dukeshin pranë një marrëveshjeje. Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif publikoi kushtet e propozuara dhe u bëri thirrje palëve t’i pranonin. Pas presioneve të forta nga këshilltarë dhe aleatë, Trump më në fund pranoi marrëveshjen, pasi siguroi edhe mbështetjen e Netanyahut. Ai më pas kontaktoi komandantin ushtarak pakistanez Asim Munir për finalizimin e detajeve.

Pak minuta më vonë, u dha urdhri për ndërprerjen e operacioneve ushtarake amerikane. Ministri i Jashtëm iranian, Araghchiu, konfirmoi se Irani do të respektojë armëpushimin dhe do të rihapë Ngushtica e Hormuzit për trafikun detar. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa i qëndrueshëm do të jetë armëpushimi dhe nëse palët do të arrijnë një marrëveshje afatgjatë. Sipas Axios, ekziston ende rreziku real që konflikti të rifillojë, për shkak të dallimeve të thella mes vizioneve të SHBA-së dhe Iranit mbi çështjen bërthamore dhe sigurinë rajonale.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat