Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që u mbajt në të gjitha kishat katolike dhe përfundon me drekën tradicionale të së dielës. Besimtarët katolikë të të gjitha moshave u mblodhën për të kremtuar vigjiljen e Pashkës së Madhe. Pak pas orës 22:00 në katedralen “Shën Pali” në kryeqytet, nisi mesha e ringjalljes së Krishtit.
“U ringjall!”, tha Imzot Arjan Dodaj para besimtarëve duke njoftuar se pas vigjiljes, e cila bashkon ditën dhe natën, nis dita e re. Në Katedralen Katolike në Tiranë, besimtarë të shumtë janë mbledhur për të marrë pjesë në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik të krishterë.
Ceremonia e shenjtë po drejtohet nga Kryeipeshkvi Arjan Dodaj, i cili udhëheq lutjet dhe ritualet tradicionale të kësaj nate të veçantë. Mesha e Vigjiljes së Pashkëve simbolizon kalimin nga errësira në dritë, duke përkujtuar ringjalljen e Krishtit dhe duke sjellë mesazhe shprese, besimi dhe paqeje për të gjithë besimtarët.
Gjatë ceremonisë, ndizet qiriu i Pashkëve dhe zhvillohen leximet biblike që kujtojnë historinë e shpëtimit, ndërsa besimtarët bashkohen në lutje dhe këngë liturgjike. Atmosfera festive dhe shpirtërore në katedrale shoqërohet me urimet tradicionale për paqe, dashuri dhe mirësi në familjet shqiptare.

