Ambasada e SHBA-së në vendin tonë ka paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të kenë në shenjestër opozitën iraniane në Shqipëri apo edhe subjekte të lidhura me SHBA. Përmes një reagimi zyrtar ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë që jetojnë në në vendin tonë të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin vende të mbipupulluara apo turistike.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë.
Por qeveria e mohon rrezikun e sulmeve të tilla, duke i cilësuar paralajmërimet e Ambasadës Amerikane hamendësime.
“Agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike”, ka njoftuar Agjencia për Media dhe Informim.

