Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Portugalisë nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, në kuadër të vizitës së punës që Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi në Lisbonë.
Memorandumi i nënshkruar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, dhe Zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor të Portugalisë, z. Luís Azevedo Mendes synon krijimin e një kuadri bashkëpunimi reciprok dhe të qëndrueshëm në fushat e inspektimeve gjyqësore, hetimeve disiplinore dhe çështjeve me interes të ndërsjellë, me qëllim forcimin e integritetit dhe etikës profesionale, zhvillimin institucional dhe përmirësimin e kapaciteteve të palëve. Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i Portugalisë u dakordësuan të bashkëpunojnë përmes shkëmbimit të informacionit dhe dokumentacionit, vizitave studimore dhe shkëmbimeve të stafit, organizimit të aktiviteteve trajnuese dhe takimeve tematike, zhvillimit të projekteve dhe nismave të përbashkëta, si dhe forma të tjera bashkëpunimi të dakordësuara.
Gjatë takimit zyrtar në Këshillin Gjyqësor të Portugalisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, së bashku me delegacionin shoqërues, u njohën me kompetencat e Këshillit dhe me funksionimin e shërbimit të inspektimit të gjyqtarëve. Nga ana e tij z. Metani paraqiti funksionet e ILD-së, si institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Gjatë vizitës në Gjykatën e Lartë, delegacioni nga ILD, u informua mbi procesin e inspektimit të gjyqtarëve të gjykatave të larta dhe u shkëmbyen përvoja mbi praktikat e mbikëqyrjes.
Vizita në Gjykatën e Apelit të Portos përfshiu sesione pune dhe diskutime mbi monitorimin dhe vlerësimin e performancës së gjykatave dhe gjyqtarëve, regjimin disiplinor, sanksionet dhe procedurat disiplinore në të gjitha fazat e tyre. Gjithashtu, u prezantua projekti MEENOS, i cili synon thjeshtimin e gjuhës së përdorur në vendimet gjyqësore për të rritur qartësinë dhe aksesueshmërinë e tyre. Projekti MEENOS (Modernizimi i Efikasitetit dhe Ndërveprimit në Sistemin Gjyqësor) është një iniciativë e Këshillit Gjyqësor të Portugalisë, që synon përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe qartësisë në funksionimin e sistemit gjyqësor, përmes praktikave inovative, trajnimeve dhe standardeve të avancuara të komunikimit profesional, përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe qartësisë në funksionimin e sistemit gjyqësor, përmes praktikave inovative, trajnimeve dhe standardeve të avancuara të komunikimit profesional.
Bashkëpunimi mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Portugalisë zhvillohet prej kohësh, edhe në kuadër të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), ku të dy institucionet janë anëtare, me fokus në shkëmbimin e praktikave dhe forcimin e standardeve të inspektimit në drejtësi.

