Dy shtetas grek janë arrestuar këtë të enjte nga policia kufitare në Kapshticë, pasi në automjetin e tyre u gjetën rreth 34 kg lëndë narkotike. Në kuadër të operacionit të koduar “Gorica”, në pranga kanë rënë shtetasit Thomas Kathreptis dhe Antiopi Marinou të cilët dyshohet se kishin marrë lëndën narkotike nga Shqipëria me qëllim transportimin e saj drejt Greqisë.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një automjet me targa greke do të trafikonte drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion final Greqinë, një sasi me lëndë narkotike, janë organizuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar dhe u vunë në ndjekje të tij. Automjeti me drejtues 48-vjeçarin dhe pasagjere shtetasen A. M., u paraqit në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Goricë dhe gjatë procedurave të kontrollit kufitar mbi bazën e analizës së riskut, automjeti u kalua për kontroll në vijën e dytë. Nga dyshimet e krijuara, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore, kaluan këtë automjet për kontroll më të detajuar në skaner, ku si rezultat u gjetën të fshehura, në një vend të krijuar posaçërisht në pjesën e poshtme të mjetit, 37 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 34 kilogramë” thuhet në njoftimin e policisë.
“Në vijim të veprimeve të para hetimore, nga strukturat e policisë u arrestuan në flagrancë dy shtetasit grekë të lartpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 34 kg me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë eurosh. Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.“ njoftoi më tej policia.

