16.5 C
Tirana
Thursday, March 26, 2026

Sot në 20:45, takim me historinë! Luhet sfida kundër Polonisë, Shqipëria do për herë të parë Botërorin

Shqipëria do të luajë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, duke qenë se do të përballet me Poloninë në kuadër të gjysmëfinales së “Play Off”-it për Botërorin. Kuqezinjtë kanë arritur në këtë fazë të Botërorit për herë të parë në histori dhe do të tentojnë që historinë ta shkruajnë edhe më tej. Polonia është një nga skuadrat më në formë të momentit, megjithatë Shqipëria ka treguar shpesh herë se mund të befasojë dhe të marrë rezultate pozitive atëherë kur është më e nevojshme si kurrë.

Diçka e tillë, u bë pak muaj më parë, me skuadrën tonë që shkroi histori në tokën shqiptare të Leskovcit, aty ku mundi Serbinë me rezultatin e ngushtë 0-1. Për të vazhduar “ëndrrën amerikane”, kuqezinjtë duhet të përsërisin edhe Leskovcin e dytë, por këtë herë në Varshavë, aty ku atmosfera pritet të jetë krejt ndryshe nga ndeshja e luajtur në Serbi. Megjithatë, në vitet e fundit Shqipëria ka mësuar të përballojë presionin dhe faktin që luan para mijëra tifozëve, duke qenë se edhe “Air Albania”, ka vite që mbushet plot e madje, është shpallur “Sold Out” edhe shumë java para se kuqezinjtë të zhvillojnë një ndeshje aty.

Takimi i sotëm mes Polonisë dhe Shqipërisë, do të luhet në stadiumin “PGE Narodowy”, me kapacitet prej 58,580 vendësh dhe pritet që 95% e stdaiumit, të jetë e mbushur me tifozë polakë. Shqipëria ka pasur në dispozicion të saj vetëm 5% të kapacitetit dhe këto bileta janë shitur në pak orë, teksa ka pasur edhe aplikim për të siguruar një vend në stadium. Ndeshja do të nisë në orën 20:45 dhe në rast se përfundon në barazim, skuadrat do t’i drejtohen shtesave e më pas gjithçka do të vendoset nga penalltitë nëse sërish nuk ka fitues pas 30 minutave shtesë që do të luhen.

Kushtet atmosferike 

Dita e sotme pritet të jetë e karakterizuar nga reshje shiu në qytetin e Varshavës, me temperaturat që mund të mbërrijnë deri në 12 gradë celciu maksimumi. Megjithatë, në orët e mbrëmjes nuk raportohet të ketë shi, megjithëse temperaturat do të jenë më të ulëta dhe takimi do të zhvillohet në rreth 7 gradë celcius, kushte këto optimale për të zhvilluar një ndeshje futbolli, sidomos duke marrë parasysh faktin se në Varshavë nuk do ishte çudi që të luhej në kushte më të vështira.

Kompanitë e basteve 

Polonia është kuotuar nga kompanitë e huaja të statistikave si skuadra favorite për të fituar këtë takim ndaj Shqipërisë dhe një fitore e mundshme e polakëve, është 1.7. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një koeficient më të lartë, që arrin në 5.5 deri në 5.9 maksimumi, koeficient ky që në fakt i jep Shqipërisë shanse reale, duke ditur faktin se përballë është një skuadër e madhe si Polonia dhe për më tepër, që ndeshja luhet në Varshavë. Barazimi i këtij takimi, vlerësohet me koeficientin 3.5. Sa i përket kualifikimit të mundshëm, shanset e Shqipërisë janë edhe më të larta dhe koeficienti për kuqezinjtë është ulur. Polonia vlerësohet me 1.3 ndërsa kualifikimi i kuqezinjve me koeficientin 3.4.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat