Edi Rama është parë mesditën e kësaj të diele, në Vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, një ditë pasi kjo e fundit u përfshi nga flakët gjatë protestës së Partisë Demokratike. Në një reagim në rrjete sociale, Rama edhe këtë herë e ka përdorur situatën në favor të tij, teksa ka shpërthyer në sulme dhe ofendime ndaj opozitës dhe gjykatësve. Rama i ka cilësuar protestuesit si “të verbër të paguar” nga disa “hunj gardhi”, sikurse thotë ai, ndërsa ka bërë përgjegjës edhe gjyqtarët që i lirojnë protestuesit sa herë që Policia i arreston. Duke injoruar faktin se këto protesta kanë shpërthyer pikërisht nga skandalet që kanë përfshirë qeverinë e tij, Rama thotë se gjykatësit dhe deputetët e PD-së, janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma.
“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjioz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një lagësirë kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush! Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”,- shkruan Rama në “X”.

