7.5 C
Tirana
Friday, February 20, 2026

Rama realizon “objektivin” takim të shkurtër dhe shtrëngon duart me Presidentin e SHBA, Donald Trump në Bordin e Paqes

Udhëheqësit e 27 vendeve të botës u ulën në tryezën e Bordit të Paqes, në ceremoninë historike, nën drejtimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

“Nuk ka asgjë më të kushtueshme se paqja”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë para 27 anëtarëve të Bordit të Paqes, teksa zbuloi se Shqipëria e Kosova do të kontribuojnë me trupa ushtarake në Gaza, dhe jo me shumën prej 1 miliard dollarësh.

Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, mori sot pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, me ftesë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikurse duket në fotot e shkrepura pas takimit, kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të takimit, u përshëndet me presidentin e SHBA Donald Trump, ndërsa bisedës së tyre iu bashkua edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Teksa falenderoi Presidentin Trump për ftesën që i bëri Shqipërisë si një nga vendet anëtare në Bordin e Paqes, kryeministri Rama tha se “në Europë thonë që Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB-në, por nuk më duket një përpjekje e tillë”. “Faleminderit që më ftuat, z. President. Vota e harmonizuar dypartiake që Parlamenti ynë flet vetë sa e nderuar është Shqipëra. Në Europë thonë që Bordi i Paqes synon të zëvendësojë OKB-në, por nuk më duket një përpjekje e tillë. Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.

Në mesazhin e tij të parë në Bordin e Paqes, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë në këtë organizëm ndërkombëtar, të krijuar prej tij, me qëllimin madhor për të rikthyer paqen në Lindjen e Mesme.

Trump shtoi: “Azerbajxhani, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Arabia Saudite e disa aleatë të tjerë kanë premtuar në total më shumë se 7 miliardë dollarë për rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës. Vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin 10 miliardë dollarë të tjera për rimëkëmbjen e territorit palestinez. Japonia ka premtuar që do të organizojë për të mbledhur fonde, Kina do të jetë e përfshirë, mendoj që edhe Rusia do të jetë dakord. FIFA do të ndihmojë për të mbledhur 77 miliardë euro për Gazën”.

Vlerësime e falënderime për vendet që iu bashkuan Bordit të Paqes, por edhe paralajmërime e kërcënime! Mesazhet e Presidentit Donald Trump ishin të qarta. Ai e nisi me Kosovën dhe Serbinë, teksa ju drejtua me një mesazh të drejtpërdrejtë Presidentes Vjosa Osmani, e pranishme në tryezë.

“Kosova dhe Serbia keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Nëse nuk shkoni mirë, më merrni në telefon dhe do ta zgjidhim. Presidentja Vjosa Osmani po bën një punë shumë të mirë”, shtoi Presidenti i SHBA.

Nuk mungoi një mesazh i Presidentit Trump dhe për vendet që refuzuan ftesën e tij për t’iu bashkuar Bordit të Paqes: “Besoj se është bordi më i rëndësishëm, për sa i përket fuqisë dhe prestigjit. Pothuajse të gjithë e kanë pranuar, dhe ata që nuk e kanë bërë, do ta bëjnë. Disa po përpiqen të bëjnë pak si të zgjuar – por kjo nuk funksionon, nuk mund të bëni të zgjuarin me mua”.

I prerë ishte Donald Trump me Iranin dhe Hamasin, të cilëve ju drejtua me një paralajmërim për armët: “Kemi punë për të bërë ende me Iranin, nuk mund t’i lejojmë të kenë armë bërthamore. Nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, sa kohë Irani ka bombën bërthamore. Nuk duhet të bëjnë destabilitet në rajon. Nëse nuk arrihet marrëveshja, gjëra shumë të këqija do të ndodhin. Hamasi do t’i dorëzojë armët dhe nëse nuk e bëjnë do të përballen me pasoja”.

Në Bordin e Paqes dhanë mesazhe edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhëndri i Trump, Jared Kushner, dhe i dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, të tre pjesë e bordit ekzekutiv, të cilët vlerësuan rolin që do të ketë ky organizëm për paqen në botë.

Bordi i Paqes, me 27 anëtarë, u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prezencë të presidentit Trump. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka autorizuar këtë trup që të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit në Gazë dhe të angazhohet në aspektin e qeverisjes dhe rindërtimit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat