Prokurorië së Apelit ka ankimuar vendimin e shkallës së dytë të gjyqësorit që e shpalli të pafajshëm Luiz Ejllin, këngëtarin dhe së fundmi aktorin shkodran.
Ejlli rezulton se nga shkalla e parë ka marrë një vendim me 1 vit burg për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Ky vendim u ankimua në shkallën e dytë, ku Apeli, më 8 Maj 2025, vendosi ta shpallë të pafajshëm.
Tashmë dosja në ngarkim të tij ndodhet në Gjykatën e Lartë, ndërsa relator i çështjes është caktuar Sokol Binaj.
Bashkë me Luiz Ejllin është dënuar edhe Fatmir Avdurramani, personi që kishte përfituar nga akti i kryer prej Ejllit, gjatë kohës që ky i fundit nuk ishte noter, por përdori vulën. Ky i fundit rezulton të jetë dënuar më parë në Itali për veprën penale të prostitucionit, ndërsa në 2021 ishte firmosur sekuestroja e pasurive, ndërsa në 2022 iu konfiskuan pasuritë.
Beteja e Luiz Ejllit me drejtësinë shqiptare
Kjo histori e ka zanafillën që në vitin 2021, kur organi i akuzës do të kërkonte sekuestrimin e pasurive të shtetasit Fatmir Abdurramani si të pajustifikuara me burime të ligjshme. Sekuestro e kërkuara asokohe nga Prokuroria e Lushnjës do të pranohej nga gjykata më 28 nëntor të vitit 2021.
Pak muaj pas kësaj sekuestro, Abdurramani i cili po ashtu është dënuar së fundmi me 18 muaj burg ka depozituar aso kohe një deklaratë noteriale bërë tek Noteri Luiz Ejlli.
Më 25 shkurt 2022, Fatmir Abdurramani paraqet në prokurori deklaratën noteriale e cila sipas tij ishte bërë tek zyra noteriale e Luiz Ejllit më datë 16 dhjetor 2015 dhe mbante të dhënat si në facsimile “nr 663 Rep, Nr 213 Kol datë 16.12.2015.”

